Nga Artan Hoxha
Edi Rama u shfaq live nga sinjali i ERTV, në një inspektim punimesh për riparimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, bashke me ministrin e #KudoKuKaPara Ben Ahmetaj dhe stafin që e shoqëronte, pa maska në fytyrë.
Ndërkohë kur shkon në takime me opozitën, atë parlamentare apo atë në rrugë, vendos maskë të zeze, si në ambient të hapur, ashtu dhe në ambjent të mbyllur.
Tani ndaje mendjen o “Baba i kombit”, si të bëjmë?!
Të mbajmë maskë apo jo?!
Dhe ku e kur ta mbajmë?!
Nga një anë, nxjerr ministra në pikë të diellit me maska në fytyrë, nxjerr “çirakët” mediatikë që i shpërblen me VKM në këhë pandemie, me maska të zeza në ekran, pastaj del dhe vetë me maskë të zezë, por vetem kur takon këta të opozites.
Nga ana tjetër, shëtit për kokërr të qejfit me një staf të tërë nga pas, dhe të kudondodhurin Ahmetaj, pa maskë në fytyrë. Ia shtron për shtatë palë qejfe dhe rrëkëllen bardhak me dhallë me Tërmetin, pa maskë në fytyrë.
Fushatat sensibilizuese, alla kazan-mediatik, nuk bëhen duke u vendosur të tjerëve maska të zeza në fytyrë, por duke mbajtur vetë maskë të zezë në çdo dalje publike, në çdo takim, në ambjent të hapur apo të mbyllur…
Ndryshe e rrënon besimin e publikut tek ajo që thua.
Nuk po shkoj shumë larg, por vetëm në Prishtinë, ku kryeministri Abdullah Hoti, nuk shfaqet kurrë pa maskë në fytyrë, kudo që të jetë, dhe me këdo të jetë.
Fiks ajo shprehja:”Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”.