Mjeku urolog Artan Koni shprehet skeptik në lidhje me masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, për kufizmin e përhapjes së Covid-19.
I ftuar në ”RTV Ora”, Koni tha se është dakord me mbylljen e lokaleve të natës dhe diskove, por jo me ndalimin e muzikës pas orës 20:00.
Ai u shpreh se nuk ka ndonjë kërkim shkencor se virusi acarohet pas orës 20:00 nëse ka muzikë.
Sipas tij, me këto masa po dëmtohet biznesi, ndaj dhe duhet gjetur një zgjidhje racionale.
Artan Koni: ”Nuk shoh masa shumë agresive të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë ndaj Covid-19. Më tepër është për tu dukur. Është edhe një lloj strategjie. Dëgjova ministren Manastirliu që tha se duhet të mbyllen lokalet e natës dhe diskot sepse nga aty kanë dalë shumë raste pozitive, që janë të rinjtë.”
”Jam dakord, ato mbylli. Por nuk kuptoj një gjë. Pse pezullohet muzika pas orës 8 të darkës? Nuk ka një kërkim shkencor që të thotë se virusi acarohet pas 8 të darkës nëse ka muzikë. Këto janë masa të marra pa asnjë lloj serioziteti, bizneset mbeten në dorë të inspektorëve dhe marrin gjobë.”
”Ndërkohë, që tavolinat janë plot, njerëzirt rrinë aty, konsumojnë diçka, është ambienti i hapur. Se është televizori me muzikë apo pa muzikë nuk ka rëndësi, njerëzit po aty i ke, edhe sikur ta fikin televizorin, prapë aty janë. Muzika nuk ka sjell një përfitim përsa i përket Covid-19. Po dëmtojmë biznesin, kështu që duhet të gjejmë një zgjidhje racionale.”