Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, shprehet kundër ndryshimeve të njëanshme kushtetuese.
Postimi i Dukës në Facebook
Ndryshimet e njëanëshme të Kushtetutës janë emblema më e mirë e një mazhorance pa bilanc, që në pamundësi për të fituar besimin në zgjedhje, zgjedh hilen përpara alternativës. Këto ndryshime nuk janë vetëm të pamoralshme, por edhe dëshmia se në këto kohë të vështira për ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve, kryeministri dhe ata që bredhin verbërisht nga pas, mendojnë vetëm për hallin e tyre.
Dhe ndërsa të gjitha energjitë e klasës politike do të duhej të ishin të fokusuara te integrimi, duke përfituar nga presidenca e radhës e BE-ë nga miqtë tanë gjermanë, zgjedhin të bëjnë krejt të kundërtën. Diçka që nuk rrezikon vetëm ecjen e mëtejshme, por me vendimet e njanëshme që prishin dakordësinë e 5 qershorit, rrezikohet edhe kthimi mbrapa ose bllokimi i mëtejshëm i negociatave. Dhe nëse 5 qershori u arrit në emër të perspektivës europiane, 30 korriku po çohet përpara në emër të dumbabizmit dhe izolimit të Shqipërisë.
Partia Agrare Ambientaliste ka qenë dhe është gati të mbështesë çdo propozim për demokratizimin e Parlamentit, për lista të hapura dhe çdo ndryshim që mund të sjellë garë dhe ndarje efektive të pushteteve, por kurrsesi nuk mund të pajtohemi me frymën antidemokratike me të cilën po ndërhyet në ligjin themelor të Republikës. Të gjithë ata që pas 7 vitesh u kujtuan për popullin dhe për lista të hapura, le të marrin një verdikt prej tij. Jo me facebook, por me REFERENDUM!