Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se sot ka vdekur mjeku, Lulzim Kolgjeraj, si pasojë e infektimit me virusin COVID-19.
Lulzim Kolgjeraj ka shërbyer si mjek i shëndetësisë primare në Prizren për rreth tri dekada dhe ka qenë specialist i mjekësisë familjare në QMF në Gjonaj të Prizrenit.
“Pas tri javë hospitalizimi në QKUK, sot betejën ndaj koronavirusit ka humbur një profesionist i dalluar mjekësor, doktor Lulzim Kolgjeraj. Dr. Kolgjeraj i ka shërbyer shëndetësisë primare në Prizren për rreth tri dekada dhe ka qenë specialist i mjekësisë familjare në QMF në Gjonaj. Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë komunitetin shëndetësor.
Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Kolgjeraj dhe kolegët e tij.
Zoti jua lehtësoftë dhimbjen!”, ka shkruar Haskuka në rrjetet sociale.