Uroj që ta dëgjojnë këtë mesazh miqtë tanë. Mesazhi nga foltorja e një parlamenti sovran, e një qeveria sovrane….Prandaj, miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dëgjojnë se i takon shtetit shqiptar se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një vendim që duhet ta ndajmë as me ambasadoren amerikane dhe me askënd tjetër, duke i respektuar maksimalisht.
U bënë 30 vjet dhe nuk mund të bëhen edhe 30 vjet të tjera nëse vazhdojmë të mos i themi gjërat ashtu siç janë. Nuk është përgjegjësia e ndërkombëtarëve që ne kërkojmë prej 30 vitesh zgjidhje nga ata, për të komunikuar me njëri tjetrin.
Por, kur thotë ambasadorja amerikane që do të ndjekim drejtuesit politik nëse do të mbajnë apo jo fjalën, nuk më vjen mirë…”.
Ky që flet kështu sot është dora vetë, Edi Rama, i cili për gati 8 vite rresht i ka përdorur ndërkombëtarët dhe veçanërisht ambasadën amerikane në Tiranë si, `gjethe fiku`, për të mbuluar lakuriqësinë e drogës, korrupsionit, krimit të organizuar në pushtet dhe shkeljet recitiviste të Kushtetutës.
Nëse ju kujtohet në fund të mandatit të ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, Edi Rama, gjatë një dalje të sforcuar në Top Shou (5 Gusht 2018) kur protestat e studentëve e detyruan të futet në vrimë të miut, kur një student e pyeti nëse po përpiqet që të kapë drejtësinë, ai u përgjigj: “A do ta lejonte ambasadori amerikan këtë gjë?”.
Kjo ishte alibia dhe `gjethja e fikut` me të cilën Rama mbulonte në atë kohë dhe në vazhdim kapjen e sistemit të Drejtësisë, frutat e të cilës po i shijojmë sot, kur SPAK arreston sot edhe të vdekur.
Në të njëjtën linjë ai u shfaq, edhe në kohën kur opozita publikoi fakte për përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës dhe zbuloi, se ai ishte i dënuar me 7 vite e 2 muaj burg në Itali për të njëjtën vepër penale.
Çfarë bëri atëherë Edi Rama?
Doli në parlament dhe nxori sërish ambasadorin Lu, si gjethe fiku.
‘Nëse do të kishte diçka të vërtetë për Fatmir Xhafën, do të kishte folur miku ynë i shtrenjtë dhe i pranishëm në mjedisin tonë, ambasadori i SHBA-së Donald Lu. Do të kishte një deklaratë nga BE, por nuk ka’, deklaroi ai, ndërkohë që duartrokitej nga deputetët e tij që bënë të njëjtën gjë sot, kur i tha SHBA, se është sovranist.
Po debatin e ashpër kur Jozefina Topalli denonconte në parlament drogën që kishte pushtuar tokën dhe qiellin e Shqipërisë, e mbani mend?!
Edhe atëherë Edi Rama “kapi” ndërkombëtarët dhe ambasadën amerikane në veçanti dhe e vuri përpara lakuriqësisë së asaj që po ndodhte me kanabisimin, siç u vërtetua më vonë nga e gjithë bota.
“A do na e lejonin aleatët tanë këtë, nëse ajo që pretendon ti Jozefinë është e vërtetë?”, i futi alibinë me të huajt Rama, për fermën më gjigante të hashashit që ishte ndërtuar ndonjëherë në Europë.
Edhe në periudhën kur u hap debate i madh për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama, vazhdoi të njëjtin avaz.
Nuk shpjegonte dot shkeljet me afate të KED, as paligjshmërinë që vërtetoi “Venecia” për Dvoranin e as emërimin klandestin të Arta Vorpsit. Por u mjaftua vetëm me “gjethen e fikut” aq shumë të përdorur kur kapet me presh në dorë.
“A mund të manipulohen SHBA dhe BE, duke u vënë në dispozicionin tonë?”, deklaronte ai atëherë kurse po këta deputetë `sovranistë` duartrokisnin fortë udhëheqësin që kishte mbështetjen e pakushtëzuar, të ndërkombëtarëve.
Po kështu ndodhi edhe kur u zgjodh Arta Marku kryeprokurore, “ vetëm për ca muaj”, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën etj, etj.
Dhe ja ku jemi sot, me një Edi Ramë që pasi u lejua të zhytet deri në fund të gropës së krimit të organizuar; që ka përdhosur sistematikisht parlamentin, Reformën në Drejtësi dhe së fundmi Kushtetutën.
Me një Ramë të cilit nuk i duhet më “gjethja e fikut”, pasi është sovranist!