Nga Gentian GABA
Surpriza e muajit Korrik nuk është fakti që Rama ndërmori në mënyrë të njëanshme ndryshimet e sistemit zgjedhor, hera e parë kjo në dy dekada, as që shkeli një marrëveshje, është këmbëngulës në mungesën e besës, por marrëdhëniet e tij të reja me ndërkombëtarët.
Nuk është më internacionalisti i dikurshëm. As ai që firmoste me sy të mbyllur çdo gjë që vinte nga partnerët strategjikë. Është një Ramë krejt tjetër; një Ramë që e shpalli veten përfaqësues të një vendi sovran.
Ndonëse kjo nuk është pirueta e parë e kryeministrit, të shumta janë mospërputhjet që ai ka me veten, ajo përbën rrotullimin më të fundit të valles kalamendëse që po prodhon një marrakotje të lexueshme në mënyrë të qartë nga vendas e të huaj.
Sepse midis shumë gjërave që ai pretendon të jetë, përtej licencës që secili prej nesh ka të ndërrojë mendim, sovranist i besueshëm nuk bëhesh dot pas njëzet e dy vitesh në politikë dhe, mbi të gjitha, nuk bëhesh dot nga pozitat e kryeministrit të një vendi që është duke trokitur te dera e një organizate ndërkombëtare, politike dhe ekonomike, me karakter mbikombëtar siç është Bashkimi Europian.
Rruga drejt BE-së nuk është edhe – edhe. Pra edhe kryeministër i një shteti kandidat, edhe sovranist që kërkon mosndërhyrjen në punët e brendshme, kur nga BE-ja të caktohen detyra specifike. Rruga drejt BE-së është ose-ose. Pra ose kryeministër që përmbush kushtet që të imponohen nga Unioni, ose kryeministër sovranist që përpara integrimit zgjedh sovranitetin e lavdishëm të një Parlamenti me 122 anëtarë, një pjesë prej të cilëve të zgjedhur nga Niçja i Shijakut.
Dhe nëse Rama është i bindur për këtë kurs politik, që do të thotë se nuk do të dëgjojë thirrjet që vijnë nga partnerët për të zbatuar praktikat që të zotët e shtëpisë në të cilën dëshirojmë të bujtim na caktojnë, nuk mund ta shpallë përballë Murrizit dhe Hajdarit. Do të duhej një parashtrim programor përballë qytetarëve të vendit më proeuropian në Rajon, të cilëve iu bëhet e qartë se kursi i zgjedhur nga qeveria, nuk parashikon integrimin por izolimin.
Qartësisht Rama nuk e bën dot këtë; për arsye se nuk jemi përballë një doktrine të re politike, por të një kthese të çastit të një demagogu që është doktrinari më i ethshëm i pushtetit si qëllim në vetvete. Andaj, përderisa sjellja sipas rregullave të lojës, kur nuk ka më asgjë për të justifikuar të shkuarën dhe asgjë për të premtuar për të ardhmen, ia bën të pashmangshme humbjen, tregohet moskokçarës për pasojat negative që kjo qasje prodhon për interesin publik, me pasoja që do të qartësohen gradualisht pas aktit dëshpërues të së enjtes.
Ky sovranizëm sezonal e bën edhe më të qashtër internacionalizmin e shtirur të vitit 2016. Kur në emër të projektit për të kapur drejtësinë, u kamuflua si zbatuesi i urdhëresave ndërkombëtare, të cilat, në kuadrin e procesit të integrimit në BE, parashikonin reformim të gjyqësorit.
Atëbotë të gjithë ata që e parapanë hilen e Ramës, përbërës allafrënga për një çorbë të gatuar nga kuzhinierët allaturka të Rilindjes, që la Shqipërinë pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese për më shumë se tre vite, merrnin një përgjigje që do të habiste sovranistin e sotëm: ‘Në reforma të tilla sovraniteti ynë është relativ, jo absolut, sepse nuk ka vend të Bashkimit Europian, apo që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, që të ketë sovranitet absolut për t’i lexuar dhe kuptuar si të dojë normat, standardet, kërkesat e Bashkimit Europian.’
Sot Edi Rama i lexon kërkesat e BE-së sipas kohës biologjike të pushtetit të tij. Duke vendosur një bast të rrezikshëm midis mbijetesës së tij politike dhe perspektivës europiane të Shqipërisë. Fatkeqësisht për atë, nisur edhe nga historiku i tij dhe vetëdija në rritje e vendorëve dhe të huajve mbi natyrën reale të kryeministrit shqiptar, ngjason me një bast të humbur.
Ndërsa kjo aventurë ‘sovraniste’, që lë një tokë të djegur në kërkim të shpëtimit personal, e bën Ramën të bjerë në rrethin e atyre politikanëve që sipas Samuel Johnson gjenin te nacionalizmi, kushëri i largët i sovranizmit, një strehë të fundit. /Mapo.al