Gazeta greke shkrim për shqiptarin Pëllumb Marnikollaj në 4-vjetorin e vrasjes! Çfarë ndodhi në komisariat dhe fjalët e babait

0
191

Gazeta prestigjioze greke “VICE” i kushton shkrim lezhjanit Pëllumb Marnikollaj, në 4-vjetorin e vrasjes së tij, në komisariatin e policisë greke. Gazetarja Maria Sydhiropoulou ka investiguar ngjarjet e ndodhura në gushtin e vitit 2016 dhe mungesën e drejtësisë nga pala greke për këtë çështje.

Titulli i gazetës “VICE”:

“Pëllumb Marnikollaj ra nga dritarja e komisariatit të Policisë “Patisia” dhe u vra në mënyrë misterioze”.

“Katër vite më vonë, ende presim përgjigje”, thotë babai i tij për “VICE”. Nikoll Marnikollaj është i ulur para kamerës së kompjuterit, ngjitur me Dorisa Rudën që përkthen bisedën. Duket i lodhur dhe i dërrmuar. Po flasim nëpërmjet “Skype”, ndërkohë që ai ndodhet në Lezhë, në Shqipëri, një qendër e vogël, me 65.000 banorë, afër kufirit me Malin e Zi. Familja e Nikollës punon 25 vitet e fundit në një restorant, në një benzinatë dhe gjithashtu me autobusët interurbanë, Lezhë-Tiranë. Punët nuk shkonin gjithmonë mirë, ashtu si sot. Djali më i vogël i tij, Pëllumbi në moshën 12-vjeçare bëri udhëtimin e parë për në Greqi, në mënyrë ilegale, bashkë me xhaxhain e tij. Kohën e kryengritjes shqiptare dhe skandalit me piramidat, i cili falimentoi të gjithë qytetarët në vitin 1997. Shumë shqiptarë shkuan në Greqi që të gjejnë një të ardhme më të mirë dhe të përmbushin “ëndrrën shqiptare”. Pëllumbi nuk qëndroi shumë kohë në shtetin tonë. U kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të ndihmojë babain e tij në biznesin e autobusëve, duke bërë fatorinon, nga viti 2002 deri në 2007. Donte të bëhej mekanik, të studionte. “Duhet të kuptoni që në Shqipëri gjërat nuk janë si në Greqi. Të ardhurat nuk janë të mëdha”, thotë për “VICE”, nëpërmjet “Skype”, Nikoll Marnikollaj.

Gushtin e 2007, Pëllumbi ndodhet përsëri në Greqi. Donte të gjente një mënyrë, që të ndihmonte biznesin familjar. E megjithatë e ndalon për herë të parë policia. Nuk kishte dokumentacion dhe përpos hyrjes ilegale në shtet ndodhet i akuzuar për vjedhje. Arrestohet së bashku me bashkombas të tjerë të tij. “Ai ishte më i vogli dhe nuk kishte avokat. Të gjithë të tjerët dolën menjëherë. Pëllumbin e mbajtën”, na thotë Nikolla. Dënohet me 18 vite dhe 7 muaj burgim. Në 2009 Nikoll Marnikollaj në një nga udhëtimet e shumta që bën në Athinë në mënyrë që të nxjerrë djalin e tij nga burgu, takon avokatin Aleksi Kugja. Pëllumbi lirohet më në fund në korrikun e 2014 dhe merr “ekspuls” për 5 vite. Megjithatë tenton përsëri të hyjë në mënyrë ilegale në Greqi dhe përfundon për 11 muaj në burg. Del përfundimisht prillin 2016 dhe siç shpjegon babai i tij është i detyruar në bazë të një vendimi gjyqësor të paraqitet në komisariatin e policisë “Patisia”. Jeta e tij vazhdon normalisht. Korrikun e po të njëjtit vit, tre muaj pas lirimit të tij, udhëton në Shqipëri për të organizuar dasmën e motrës së tij. Në videot nga dasma ai kërcen me anëtarë të familjes së tij dhe është shumë i gëzuar. Sipas babait të tij, Pëllumbi ka vendosur të vazhdojë studimet dhe në të njëjtën periudhë ka dhënë provimet e maturës.

Urdhër arresti kundër tij

Në 30 korrik të 2016, niset përsëri për në Athinë. Familja e tij nuk ishte dakord që ai të shkonte në Greqi. Nikoll Marnikollaj kishte një parandjenjë të keqe. Megjithatë Pëllumbi ishte i detyruar të paraqitej në komisariatin e policisë. Dreka e 3 gushtit do ishte e katërta herë që paraqitej. Shfaqet si çdo herë, megjithatë pak orë më vonë gjendet i vdekur, duke rënë nga dritarja. Sipas deklaratës zyrtare të policisë greke, “iu bë e ditur që kishte një urdhër arresti kundrejt tij. Kur kuptoi se do të arrestohej në bazë të këtij urdhër-arresti, vrapoi në korridor, doli në ballkon dhe ra nga kati i dytë i godinës. U dërgua tek “Kryqi i Kuq’ dhe po të njëjtën ditë dha frymë.”

Në 2018 Aulon Kalaja aktivist dhe gazetar publikon dokumentarin për jetën e Pëllumbit dhe ngjarjet, sipas të cilit çuan në rënien e tij nga kati i dytë i komisariatit të policisë. Dokumentari parashtron disa fakte apokaliptike. Një nga to është një bisedë me avokatin e dytë të Pëllumbit, Stavros Georgopoulo e cila duket që është bërë me kamera të fshehtë. Në bisedë avokati dëgjohet të thotë se është takuar më Pëllumbin tek gjykata mëngjesin e ditës që do të paraqitej në komisariatin e policisë.

“Shkuam të shikojmë nëse ekziston ndonjë urdhër, domethënë nëse një nga hetuesit e Athinës ka nxjerrë ndonjë urdhër-arresti kundrejt tij. Nuk kishte asnjë”. Del kështu kundërshtimi i parë serioz në lidhje me komunikatën zyrtare të policisë greke, për arsyet e vdekjes së Pëllumbit.

Grumbullim i fakteve të panjohura

Ndërkohë familja e Pëllumbit nuk ka të reja prej tij për më shumë se një javë. “Ndjemë që diçka nuk shkonte mirë, sepse nuk ekzistonte asnjë mundësi që ai të mos komunikojë me ne për një javë, apo për më pak ditë”, thotë për “VICE”, babai i tij. Ky i fundit vjen në kontakt me gazetarë në Athinë për të gjetur djalin e tij, por asnjë rezultat. Pas një presioni të madh, policia e drejton tek “Kryqi i Kuq”.

Në spital përfundimisht mësojnë që trupi i Pëllumbit ndodhet në varrezat e “Agion Anarrgiron”, “që zakonisht dërgohen trupat e njerëzve që nuk i dihet identitetit”. Familja pajton avokaten Maria Konstadopulu në Athinë, e cila në 11 gusht 2016 arrin t’i ndihmojë, që të ndalohet varrimi i trupit, thuajse në momentin e fundit. Nikoll Marnikollaj në një deklaratë për shtyp, në 17 gusht 2016, thotë që Pëllumbi kur shkoi atë drekë në komisariatin e policisë, kishte me vetë pasaportën e tij. “Policët dinin ku jetonte. Ishte plotësisht i identifikuar, por nuk na njoftoi askush, prandaj dyshoj që vdekja e tij nuk ishte aksident”, thotë babai. “Nuk dimë për çfarë arsye u regjistrua në varreza si njeri i paidentifikuar nga moment që policia e dinte emrin dhe mbiemrin e tij”, thanë në mediat shqiptare familjarët e tij.

Ekspertizat mjeko-ligjore janë në kundërshtim më njëra-tjetrën

Në 9 gusht 2016 trupi iu nënshtrua kontrollit të mjekësisë ligjore nga ekspertja Hristina Tsakona. Në raportin e saj shkruhet që vdekja e Pëllumb Marnikollaj, “erdhi si pasojë e dëmtimit të rëndë të trurit dhe të kafkës (sipas informacioneve rënie nga lartësia)’. “Sapo pashë trupin e tij ngela pa fjalë. Nuk mundesha as të mendoj, as të flas dhe më pas pashë shumë shenja në trupin e tij. Kuptova që diçka kishte ndodhur në komisariatin e policisë. Jo vetëm që e kishin goditur por e kishin torturuar. Pamë të gjithë shenjat që kishte në trupin e tij dhe kuptuam që diçka kishte ndodhur brenda komisariatit të policisë. Vendosëm që duhet të kërkojmë nga shteti grek të hetojë çështjen dhe nëse dikush është fajtor të vendoset drejtësi dhe ai të dënohet”, thotë Nikolla me zë të ulët përpara se të na përkthejë zonjushë Ruda. Familja kërkon një ekspertizë ligjore të dytë dhe të tretë. Ndërkohë eksperti i mjekësisë ligjore Bardhyl Cipi del në konkluzionin që Pëllumbi kishte shenja dhune në vende të ndryshme të trupit të tij.

“Nuk dimë në çfarë rrethanash ra nga dritarja, nëse e shtynë, nëse e ndoqën, nëse u vra në brendësi të komisariatit të policisë. Ekspertiza mjeko-ligjore shqiptare është e kundërt me ekspertizën mjeko-ligjore greke. Mjeku ligjor shqiptar flet për goditje me dashje, me një mjet të fortë, që do të thotë se dikush e goditi. Kjo do të kishte qenë e mjaftueshme që të thërrasin policët si të akuzuar dhe hetojnë çështjen në fjalë”, thotë për “VICE”, avokati i familjes Marnikollaj, Thanasis Kabagjannis.

“Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut tregon që ka përgjegjësi të lartë një shtet nëse në një komisariat të tij vdes një njeri. Barra e provës sipas Strasburgut i takon shtetit i cili thërritet të vërtetojë për çfarë arsye qytetari përfundon i vdekur, ky është thelbi i çështjes”, vë në dukje avokati.

Kundërshtitë e anës tjetër

Në 12 gusht të 2016 lajmi publikohet në site “realiteti Shkodër news” dhe fillon të bëhet lajm i parë në mediat shqiptare. Deri në atë moment nuk ekziston asnjë njoftim nga policia ose Ministria e Mbrojtjes së qytetarit. Në të njëjtën kohë krijohet një frymë e madhe përkrahjeje për familjen Marnikollaj, por edhe protestat e qytetarëve shqiptar me qëllim që të ushtrohet presion në qeverinë greke, që të hetohet çështja. Vdekjen e Pëllumbit e komenton me një postim në ‘facebook’, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili shkruan: “Qeveria shqiptare ndjek zhvillimet hap pas hapi” dhe gjithashtu që “Ambasada shqiptare në Athinë ka kërkuar nga pala greke bashkëpunimin e shpejtë të të gjithë institucioneve”. Rama në të njëjtin postim referon që Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga institucionet greke të bëjë një hetim të plotë, me transparencë dhe respekt për të drejtat të njeriut, sipas të drejtës ndërkombëtare. Ambasada shqiptare në Athinë deklaroi se nuk ishte vënë në dijeni për çështjen nga policia greke dhe për këtë arsye nuk e kishte njoftuar familjen. Çështja u bë publike përfundimisht në 18 gusht 2016, pra me 15 ditë vonesë. Deklarata për shtyp e policisë fillonte si më poshtë vijon:

“Marrë shkas nga publikimet në mediat shqiptare sa i përket lëndimit vdekjeprurës të shtetasit shqiptar pas rënies nga kati i dytë i komisariatit të policisë “Patisia”, me 3 gusht 2016, deklarohen sa më poshtë vijon…”.

Dosja gjyqësore

“Në fillim u urdhërua hetim i brendshëm. Babai me dajën e Pëllumbit, së bashku me një shok të tij dhanë deklaratë në polici dhe kështu u urdhërua hetimi i gjithanshëm. U thërrit përsëri që të deklarojë babai dhe megjithatë nuk u thërritën të deklarojnë as si të dyshuar, as si të akuzuar, policët që ndodheshin aty. Për shkak të këtij fakti, familja nuk ka marrë akoma një kopje të dosjes, bashkë me një video që ekziston nga një kamera e jashtme”, shpjegon për “VICE” avokati i familjes zoti Kabagjannis. Babai i Pëllumbit thotë që kur u thërrit të deklarojë, iu treguan disa pamje fotografike nga një video pa iu dhënë kopje në të cilat dukej djali i tij të bie nga kati i dytë. “Çështja është procedurale. Duke qenë se nuk janë drejtuar akuza, nuk ekzistojnë të akuzuar, pra nuk kemi marrë kopje. Marrja e dokumenteve nga padia civile varet nga marrja e dokumenteve nga i akuzuari. 4 vite më vonë, jo vetëm që nuk është zbardhur çështja, por as nuk kemi mundur të marrim kopjet e dosjes”, thotë avokati i familjes.

Kur hetohet dhuna policore

Nikolla vazhdon të jetë në lidhje nëpërmjet “Skype”. Gjithë këto vite nuk reshti së foluri për djalin e tij. “Çdo herë që e thërret prokurori, ai vjen. Ka ardhur dhe herë të tjera, pa e takuar prokurorin. Vjen vetë që të ushtrojë presion. Nuk mund të bëjë diçka, sepse nuk njeh as gjuhën. Por vazhdon vjen”, thotë Dorisa Ruda që bën përkthyesen.

“Nuk jam parashikues që të di çfarë ndodhi atë ditë brenda komisariatit, por në çdo rast ajo duhet të hetohet. Greqia nëse nuk heton çështjen në fjalë do të dënohet nga Gjykata e Strasburgut dhe të mos keni asnjë dyshim, që ne do të shkojmë atje”, vë në dukje zoti Kabagjannis dhe shton, “Është faktor përfshirja e policëve në ngjarje. Të mos gënjehemi. Nuk kemi parë institucionet greke të zgjidhin çështje të ngjashme me viktima greke. Çështja është më e thellë, ka të bëjë me dhunën policore dhe me faktin se sa institucionet do ta hetojnë. Është e dukshme që shtetësia e huaj e viktimës, nuk ndihmon. Ndjesia që kemi është që kur denoncohet dhuna policore, denoncimin e ha errësira e zezë”. Në 4 maj Komisioni i Hetimit të Dhunës Policore dorëzoi raportin te Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit, i cili nuk u bë publik. Në lidhje telefonike që kishim me Vaggeli Mallio, profesor i Drejtësisë në Universitetin e Athinës dhe anëtar i Komisionit të Hetimit të Dhunës Policore, na tha që një nga propozimet e komisionit është përdorimi i shumtë i kamerave, në të gjithë ambientin në çdo komisariat. Megjithatë nuk e dimë se sa frytdhënëse do të ishte diçka e tillë, në momentin që organet policore do të duhet të hetojnë çështje dhune nga kolegë të tyre duke pasur akses në materialin e kamerave.

Mbrapa në Lezhë, në pritje

“Po prisnim të na prezantonte me të dashurën e tij. Prisnim të bëhej fejesa”, kujton Nikolla. Na thotë që Pëllumbi donte të kthehej në Shqipëri. Nuk donte të jetonte më në Greqi. Donte të zhvillonte bizneset familjare. Gjerat po shkonin më mirë. Atë periudhë kishin bërë marrëveshje për më shumë rrugë. Do hapnin restorantin që kanë tani, në emrin e Pëllumbit. “Kemi 4 vite që presim, nuk është bërë asgjë’, thotë Nikolla. “Ne vetëm presim”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here