Pavarësisht shqetësimeve për shpërthime të reja të koronavirusit në Evropë, mijëra nxënës gjermanë janë kthyer në shkollë më 3 gusht, pas përfundimit të pushimeve verore në landin verior, Mecklenburg-Vorpommern.
Ky njëherësh është landi i parë gjerman, nga 16 sa janë në total që ka marrë vendim për hapje të shkollave prej përhapjes së koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, në mesin e muajit mars.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka bërë të ditura lajmet për testim të detyrueshëm për udhëtarët që kthehen në Gjermani nga vendet me rrezik të lartë.
“Ne kemi draftet e para.
Ne duam që ta koordinojmë këtë gjë me landet, sepse atyre u duhet ta zbatojnë vendimin në aeroporte dhe stacione të trenit”.
Më 1 gusht, në Berlin janë mbajtur protesta të mëdha kundër kufizimeve të vendosura me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Zyrtarët policorë kanë thënë se mbi 17,000 persona kanë qenë pjesë e marshit, ndërkohë që një tjetër organizim pasues ka mbledhur rreth 20,000 persona.
Për shkak që shumë protestues nuk kanë mbajtur distancën e kërkuar apo nuk kanë vendosur maskën, policia ka thënë se është detyruar të ndërhyjë.
Gjermania ka menaxhuar pandeminë me koronavirus relativisht mirë, ndonëse në javët e fundit është përballur me rritje të numrit të të infektuarve.
Sipas zyrtarëve, shifrat e reja lidhen me pushimet verore jashtë shtetit, punëtorët migrantë dhe banorët që nuk kanë respektuar protokollet shëndetësore./DW