Shifrat alarmante të koronavirusit/ VOA: Pozitiviteti është 24 përqind

0
152

Në Shqipëri, pasditen e së enjtes u njoftuan sërish 6 viktima nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se humbën jetën në spital 3 qytetarë nga Durrësi, një 64-vjeçar, një 65-vjeçar dhe një 69-vjeçar, me sëmundje bashkëshoqërues, si dhe një 72-vjeçare nga Fieri, një 73-vjeçare nga Korça dhe një 78-vjeçare nga Tirana. Deri më tani janë regjistruar 188 viktima, një numër që po rritet me një ritëm të shtuar.

Në nivele të larta mbeten dhe rastet e reja. Në 24 orët e fundit, nga 531 testime, janë konfirmuar 127 të infektuar. Prej 6 ditësh rastet e reja janë mbi kuotën e 100 të prekurve. Ajo që bie në sy është shkalla e lartë e pozitivitetit (raporti mes testimeve dhe rasteve të zbuluara), e cila është në kuotat e 24 përqindëshit. Të dhënat e përditësuara tregojnë për një rënie të të infektuarve në Tiranë, 36 persona. Deri më tani, personat e prekur në kryeqytet, zinin më shumë se gjysmën e rasteve ditore. Pjesa tjetër e të infektuarve janë zbuluar në 21 qytete të ndryshme të vendit, me një shpërndarje gjeografike të shtrirë thuajse në të gjithë territorin. Me shifrat e 24 orëve të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive që nga fillimi i epidemisë kaloi mbi 6 mijë persona.
Në të dy spitalet ku trajtohen të sëmurët me COVID-19, janë shtruar 119 pacientë, nga të cilët 18 në terapi intensive dhe 4 të intubuar. Përveç atyre që kanë rezultuar pozitivë, po marrin trajtim dhe disa dhjetra të tjerë, pacientë të dyshuar, të cilët rezultojnë negativë nga testimi, por kanë shenja klinike të sëmundjes.

Në total në të gjithë vendin janë 2673 raste aktive, nga të cilët 1477 vetëm në Tiranë. Në vend të dytë është Durrësi me 344 dhe Shkodra me 232 raste. Në qarqet e tjera të vendit, personat aktivë janë nën kuotën 100./VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here