Skulptori i njohur Arben Bajo nuk e ka fituar betejën me COVID-19. Lajmi i trishtë është dhënë nga miqtë e tij në rrjetet sociale.
Artisti Arben Bajo ndodhej i intubuar në Spitalin Infektiv. Dje, miqtë bënë thirrje urgjente për gjak të grupit A negativ, të dikujt që e kishte kaluar koronavirusin.
“Ishte ndër skulptorët më të mirë, jo ndër 122 deputetët që votojnë sipas urdhrit, jo ndër 200 biznesmenët më të mëdhenj, po ndër 2-3 skulptorët më të mirë të një vendi që artet figurative, i ka lënë në derexhenë e përfaqësimit nga një ish-piktor që iu dorëzua politikës pas përpjekjeve të dështuara për t’ia dalë jetesës së denjë me artin.
Arben Bajo ia doli me dinjitet, me sukses ndërkombëtar, nuk u dorëzua. Ishte pasuri e rrallë, që si gjithë pasuritë e rralla të vendit, frymore ose jo, lihen në mëshirë të fatit, që në 108 vitet e fundit (dhe të parat) ka qenë i keq për Shqipërinë.
Arben Bajo nuk ia doli ama të merrte statusin e deputetit që çohet në Turqi për t’u kuruar, as fatin e biznesmenit që shkon në Austri, as fatin e drejtorit që shkon në Gjermani. Ai pati fatin-fatal të çdo shqiptari dhe u nda nga jeta për 10 ditë.
Arben Bajo nuk ia doli të ishte i privilegjuari në një regjim që është ngritur mbi korrupsionin dhe servilizmin dhe si rrjedhim u shërben atyre. Ai nuk diti të përshtatej në një vend ku hijet janë më të gjata se njerëzit dhe iku atje ku dielli nuk perëndon.
Ata që shtireshin si miqtë e tij dhe e lanë të dergjej pa shpresë në shtratin e vdekjes, nuk ngurrojnë të bëjnë requieme, nuk ndihen në faj, sepse nuk ndjejnë asgjë për askënd. Sikur të heshtnin do ta nderonin kujtimin e artistit që iku, sikur të heshtnin, të paktën nuk do na kujtonin përgjegjësinë e tyre,” shkruan ai.