Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu, në një prononcim në “News24” deklaroi se shqiptarët janë sot shumë më keq se kur u mbyllën dhe kur u hapën nga pandemia e koronavirusit.
Shehu thekson se Edi Rama ka dështuar totalisht me situatën e Covid-19.
“Jemi shumë më keq se kur u mbyllëm e u hapëm. Rama dështoi me situatën e pandemisë. Nëse do të kishte guxim, do të jepte ndoshta edhe dorëheqjen. Rama duhet të kërkonte ndjesë, për situatën e rëndë që po kalojmë. Jemi shumë larg edhe të faktit që të dimë si është situata, sepse nuk është identifikuar, nuk ka teste masive.
Nuk janë marrë masat e duhura kufizuese, mjekuese, izoluese etj. Cdo gjë ta jep ai testim. Ekzaminimet e kryera sot janë shumë të vogla. Në Europë kanë siguruar të gjithë laboratorët, që të ketë sa më shumë teste. Rama donte të shfaqte prioritet psikoligjik”, tha Shehu.
Tritan Shehu vlerësoi më tej se shteti duhet që të fornizojë njerëzit me maska dhe madje sipas grup-moshave e profesioneve.
“Duhet të jepeshin fondet e nevojshme dhe jo ata qesharake. Nëse do të jepeshin fondet e duhura, situata do të ishte nën kontroll. Italia në fillim ishte keq, por sot është mirë. Sic është Kroacia, sic është Sllovenia etj. Shteti duhet të furnizonte popullsinë me maska, kjo ndodh kudo në Europë.
Maskat rekomandohen të ndryshme, për profesione të ndryshme, për mosha të ndryshme dhe jo të thuash merr maskë e pa ditur gjë. Por ne jemi në Europë dhe duhet bërë gjithcka me standardet europiane. Maska rekomandohet vetëm aty ku ka grumbullime njerëzish. Fakti që jemi keq dëshmon se kemi dështuar”, përmbylli Shehu.