Krijimi i kalvarit të emigrantëve shqiptarë në doganën e Kakavijës pas shtimit të kritereve teknike shëndetësore nga ana e autoriteteve greke i dha një shujtë të bollshme nacionalizmit irracional tek një pjesë e shqiptarëve.
Fajin, sipas këtij vështrimi, na e ka Greqia! Grekët na urrejnë prandaj na trajtojnë në këtë mënyrë. Nuk kemi shtet se të kishim shtet, e shikonin grekët a silleshin dot kështu me ne, etj etj.
Në fakt, kriteret teknike të vendosura nga Greqia, dorën në zemër, janë më të lehta se ndalimi i plotë i udhëtimeve drejt BE-së. Çuditërisht asnjë protestë ndaj BE-së nuk është dëgjuar prej një muaji e gjysëm.
Po përse BE-ja me ndalimin e plotë të udhëtimeve nga Shqipëria dhe Greqia me vendosjen e kritereve të sigurisë shëndetësore “kanë luajtur mendsh dhe provokojnë shqiptarët”?
Përgjigjia është e thjeshtë dhe e ditur: ndryshe nga shqiptarët, ata kanë të dhëna të mjaftueshme për mënyrën se si (nuk) po e menaxhon pandeminë Edi Rama dhe qeveria e tij. Prandaj, vendet e BE-së, përfshirë Greqinë, nuk mund t’i besojnë Ramës e Manastirliut dhe kanë vendosur të ndalojnë udhëtimet ose të kërkojnë siguri, si në rastin e fqinjit jugor.
Po çfarë është duke bërë gabim Shqipëria?
1. NUK ËSHTË DUKE TESTUAR!
Shumica e kërkesave për tampon refuzohen rregullisht nga linja 127. Miq dhe njerëz të njohur na kanë informuar se përgjigjia e këtij shërbimi për qytetarët me shenja COVID është: nëse nuk keni probleme me frymëmarrjen, nuk do të testoheni. Pacientët e patestuar janë shndërruar, në këtë mënyrë, në agjentë të shpërndarjes së shpejtë të virusit. Të shumta janë rastet kur vetë qytetarët me shenja klinike nuk pranojnë të testohen sepse kanë frikë se humbasin ditët e punës apo biznesit. Për këto raste, qeveria ka arsye të bëjë festë, sepse vetë nuk deshën!
2. NUK ËSHTË DUKE GJURMUAR KONTAKTET!
Përveç se testohen vetëm disa qindra vetë në ditë, qeveria e Edi Ramës nuk është duke gjurmuar kontaktet e pacientëve që rezultojnë pozitivë. Pasojat janë këto që po shohim sot. Vetëm në Tiranë, sipas njoftimit të djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë janë mbi 1500 raste aktive, për të cilët nuk është bërë gjurmim i kontakteve. Si rezultat i kësaj papërgjegjshmërie, mijëra shqiptarë mund të jenë duke iu afruar pikës kritike të simptomave fatale të sëmundjes.
3. NUK ËSHTË DUKE MBIKËQYRUR RASTET POZITIVE NË SHTËPI!
Asnjë njoftim për penalizimin e pacientëve pozitivë që kanë thyer karantinën nuk ka nga policia apo Ministria e Shëndetësisë. Shkurt, pacientët COVID që u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi nuk i kontrollon askush. Ata mund të dalin përditë në punë, në kafene, në vaki apo në festa. Dështimi për të kontrolluar këto pacientë është këmbanë alarmi se në ditët në vijim duhet të presim disafishim të rasteve në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.
4. NUK ËSHTË DUKE PENGUAR GRUMBULLIMIN E NJERËZVE!
Ndonëse ka ndaluar qëndrimin hapur të klubeve të natës apo organizimin e festave familjare, të gjithë qytetarët e dinë se ka disa ristorante të njerëzve të lidhur me pushtetin që ofrojnë organizimin e dasmave, ditëlindjeve apo përvjetorëve pa u shqetësuar nga policia. Ca të nënës e ca të njerkës: kjo është strategjia e vërtetë e qeverisë Rama për pengimin e grumbullimeve.
5. NUK ËSHTË DUKE BËRË ASNJË FUSHATË PËR VETËDIJËSIMIN E QYTETARËVE!
Gjatë 3 muajve të karantinës, kur numri i rasteve ishte sa një e dhjeta e rasteve të deklaruara këto ditë, qeveria ndoqi një strategji të komunikimit agresiv, duke iu mbivendosur rolit që duhet të luajnë mjekët. Tani që sëmundja po bën kërdinë, Rama dhe ministrat e tij shullehen në brigjet e Shqipërisë dhe Europës. Asnjë fushatë vetëdijësimi nga mjekët! Asnjë program informimi publik, përveç njoftimeve ditore nga Ministria e Shëndetësisë për numrin e rasteve të reja dhe viktimave.
6. NUK ËSHTË DUKE BËRË ASNJË INVESTIM NË SHËNDETËSI!
Para disa ditësh OBSH dhe Banka Botërore shprehnin shqetësimin se vendi me sistemin shëndetësor më të rrënuar në Europë nuk është duke bërë asnjë investim në shëndetësi. Rama poston në Facebook video me rrugina rurale, a thua Shqipëria nuk është në pandemi. Asnjë plan për përmirësimin e kapaciteteve dhe shtimin e pajisjeve dhe stafit shëndetësor nuk është bërë publik. Numri i mjekëve në shërbim të pacientëve COVID në dy spitalet në Tiranë është qesharak. Me këto kapacitete teknike dhe njerëzore, është e sigurt se numri i shqiptarëve që humbin betejën me COVID do të jetë shumë herë më i lartë në javët e ardhshme!
Vargu i gjatë i dështimeve rëndohet edhe nga dështimi i plotë për të mbështetur ekonominë e falimentuar, që në të gjitha projeksionet e mundshme do të jetë një faktor shtesë që përkeqëson situatën e pandemisë.
Të gjitha këto nuk i ka bërë Greqia, as BE-ja, por qeveria e Edi Ramës, Ogerta Manastirliut dhe Komitetit të tyre Teknik.
Prandaj, fajin mos e kërkoni tek grekët, por tek “greku” brenda nesh.
Radhët kilometrike në Kakavijë duhet të ishin shndërruar në protesta në dyert e qeverisë. Derisa kjo të mos ndodhë, radhët në Kakavijë do të vazhdojnë të zgjaten drejt Gjirokastrës.