Analisti, Andi Bejtja, nëpërmjet një shënimi të shkurtër në faqen e tij në Facebook, pasi ka ngritur shqetësimin për situatën në Kakavijë e cila ka agravuar në një katastrofë të vërtetë humanitare, shkruan se vendi është katandisur me një qeveri që nuk bën as “sikur”, po merr masat për të ndihmuar qytetarët e vetë, të bllokuar prej ditësh në kufirin shqiptaro – grek.
“Dita e tretë e radhëve kilometrike në Kakavijë: një katastrofë e vërtetë humanitare: një 10-vjeçar i vdekur dhe të moshuar e të mitur që kanë kaluar natën të shtrirë si lopë. Deri tani dorën e shtetit e kanë parë vetëm në etiketat e ujit me gaz, apo në rastin më fatlum pa gaz, që iu shpërndanë mbrëmë:
Nuk ngrihet asnjë shtab emergjence për këtë katastrofë të vërtetë humanitare; nuk mblidhet asnjë këshill bashkiak; nuk duket as Kryqi i Kuq, as kryqi i bardhë….
Zero dhe Shoqëria civile: të paktën të ngrënë çadra ku të ofrojnë ndihmë mjekësore dhe ushqimore…
Opozita mjaftohet vetëm duke sharë kryeministrin në Fb, në vend që t’i tundë dhëmbët dhe t’i bëjë ultimatume e t’i vërë afate për menaxhimin e situatës, si qeverisë edhe pushtetit lokal…
Shkurt dhe shqip, edhe njëherë ashtu si për Kovidin: nuk ka asnjë shans që një vend me parametrat, indekset nga më të këqinjtë në Europë dhe Rajon, për ekonominë, shëndetësinë, korrupsionin, organizimin shtetëror, respektimin e protokolleve, transparencën…etj, etj, të ketë sukses në luftën kundra kovidit apo çdo situate tjetër të ngjashme…dhe në kriza të tilla humanitare… Por çfarë është me e keqja, sot po shohim se ky shtet është i paaftë të bëj edhe “sikur “…
Sikur mbledh një shtab, bën një mbledhje këshilli bashkiak, mobilizon ushtrinë, ngre dhjetë çadra, çon ca mjekë e ca ushqime, i bën thirrje organizatave humanitare për ndihmë, etj, etj ….
Po jo, asgjë nga këto!
E pra nëse nuk bën asgjë nga këto, të bëjë atë që di më mirë: t’i japë për menaxhim me koncesion radhën kilometrike të Kakavijës, një privati…”, shkruan Andi Bejtja