Champions League i surprizave të mëdha! Faza finale e këtij sezoni ka dhuruar befasinë e radhës, teksa mbrëmjen e shtunës Lyon-i ka eliminuar Manchester City-in, me një fitore 3-1.
Skuadra franceze zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 24-t me Cornet, ndërkohë që City do të reagonte vetëm në fraksionin e dytë. Në minutën e 69-të, pas një aksioni të bukur De Bruyne godet shumë saktë në hyrje të zonës duke e dërguar topin më pas në rrjetën e Lopez.
Trajneri Garcia hedh në fushë Dembele në vend të Depay, një zgjedhje që do të ishte si lëvizja e ndeshjes. Moussa Dembele do të realizonte dy gola në harkun e 8 minutave, duke i dhënë një goditje të rëndë ekipit të Guardiolës.
Lyon në këtë mënyrë, pas Juventusit, eliminoi një tjetër skuadër të cilësuar si favorite, teksa në gjysmëfinale do të përballet me super Bayernin që turpëroi Barcelonën.