I ati polic i infektuar, e bija me fëmijë të mitur i shkruan Berishës: Çfarë pret akoma shëndetësia jonë që s’na përgjigjen…

0
167

Një nënë me dy fëmijë të mitur nga Fieri i ka dërguar një mesazh prekës ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke iu lutur t’i mundësohet marrja e tamponit për të dhe fëmijët e saj, në kushtet kur i ati, inspektor në Komisariatin e Fierit, ka rezultuar i infektuar me COVID-19.

“Nëse ju mundeni dhe pa ju vënë në siklet, – shkruan qytetarja,e cila nuk ka gjetur askund përgjgije për problemin e saj, –  kërkoj edhe një kontakt të Dr. Pipero, t’i tregoj çfarë antibiotiku babi po merr dhe t’i tregoj gjendjen në të cilën ndodhet, pasi lodhja dhe temperatura vazhdojnë dhe të më japë ai sugjerimin e tij si profesionist i kësaj fushe.”

Mesazhi i plotë i zonjës në fjalë është publikuar nga ish-kryeministri me këtë shënim: “Komisariati i Policisë Fier, bombë biologjike e COVID-19. Narkoautoritetet, qëndrim të papërgjegjshëm! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital.”

Mirëmëngjes i nderuar z.Berisha.

Ju kërkoj ndjesë që ju bezdis sot ditën e diel dhe në këtë orar.  Unë që po ju shkruaj jam …

Në komisariatin e Fierit ka rënë COVID-19 dhe policët me simptoma të COVID, kollë e temperaturë, vazhdonin të punonin .

Masat që mori komisariati ishin t’i bënin mbledhjet jashtë në ambient.

Askujt që ka pasur kontakt të afërt me këta persona që kishin simptoma nuk iu bë tamponi.

Në datën 6 gusht, babi im shfaqi simptomat e para. U infektua babi nga ky virus i mallkuar.

Shkoi në spital, bëri kontrollet shëndetësore dhe i thanë “ndoshta ke ftomë”, se grafia del e pastër dhe i dhanë antibiotikë.

Një mik i tij, dr.Altini, që Zoti e bekoftë, i tha “hajde bëj një skaner” dhe pasi vërejti diçka në mushkri, kërkuan t’i bëjnë tamponin.

Ka marrë antibiotik tjetër, pra dy lloje dhe po mundohet ta kalojë në shtëpi me ndihmën dhe besim në Zot.

Me babin gjatë kësaj kohe ka qënë mami, e cila ka 4 ditë, ka shfaqur simptoma dhe unë me fëmijët, 14 dhe 6 vjeç .

Kemi kërkuar të na bëhet tamponi se po na vret stresi dita- ditës, por që ditën e diel në datën  9 gusht e deri më sot asnjë përgjigje.

Ne po rrimë izoluar për të mirën e të gjithëve, por ka persona që mund të kenë pas kontakt me babin, sepse është inspektor policie dhe e ka lidhur puna, që nuk i respektojnë izolimin apo distancimin.

Çfarë pret akoma shëndetësia jonë që s’na përgjigjen, do të shtohen të infektuarit?!

Ne nuk jemi të pasur të ikim jashtë vendit për kurim apo në spitale private. Nuk kemi “miq”e shokë siç kanë drejtuesit, doktorët më të mirë në dispozicion, por nëse ju mundeni dhe pa ju vënë në siklet kërkoj një kontakt të Dr. Pipero, t’i tregoj çfarë antibiotiku babi po merr dhe t’i tregoj gjendjen në të cilën ndodhet pasi lodhja dhe temperatura vazhdojnë dhe të më japë ai sugjerimin e tij si profesionist i kësaj fushe.

E kuptoj shumë mirë që si unë ka shumë raste por unë mora guximin t’ju shkruaja si një vajzë që s’di çfarë mund të bëj për babin tim dhe ku të drejtohem.

Ju lutem nëse do të mundeni do t’ju jem mirënjohëse.

Ju falenderoj paraprakisht.
Ditë të mbarë dhe shëndet në familjen tuaj.
Me respekt

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here