Në librin “Muhurri, histori dhe personalitete”, jetët e personazheve realë, të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme, drejt sfidës së jetës, drejt suksesit
Nga Dr. Hajri Mandri
Prof.dr.Shaban Sinani: “Libri i Halil Ramës është zgjidhja më komode. Sepse është një enciklopedi e gjithë zonës, prej hershmërisë antike deri në kohët moderne, me bëmat dhe gjëmat e saj, pa kritere përjashtuese, duke filluar prej përshkrimit gjeofizik deri tek ai etnografik e historik; mbështetur në kujtesën e shkruar dhe atë gojore”.
Prof.dr.Bujar Kapexhiu: Mbas leximit të librit “Muhurri, histori dhe personalitete”, edhe unë, si dibran, tashmë jam i bindur më mirë, më saktë e më hollësisht për vendin, ngjarjet dhe njerëzit. Njoh Muhurrin. E kështu, me plot gojën, nuk gaboj kur them se unë jam nga Muhurri! Nuk beson? Më pyet për gjithçka e jam gati të të jap përgjigjen për të gjitha e me hollësi. Në faqet e këtij libri, midis rreshtave, si në një pasqyrë, çdo muhurrak do të shohë veten dhe do të arrijë në përfundimin se në këtë pasqyrë të krijuar nga mendja dhe dora e Halilit duket më i mirë, më trim, më punëtor, më i bukur e më i mençur, dhe thellë nga shpirti do t’i dalë urimi për këtë krijues të veçantë, unikal: Faleminderit Halil, krenari e Muhurrit! Paç uratën!
Publicisti i talentuar, mjaft produktiv dhe me një përvojë të gjatë, Halil Rama, i mbyllur në pranverën pandemike, udhëton me imagjinatën e tij nga Tirana ku jeton prej dekadash, për në vendlindjen e tij, Muhurri i Dibrës. Kjo prirje romatike e autorit të shëtit në gjërësinë vendore, në thellësinë historike, dhe në kujtime brezash që filtrojnë leitmotive dashurie dhe krenari për vendlindjen. Librii tij i 17-të, “Muhurri, histori dhe personalitete” (me 712 faqe në 17 kapituj), si monografi etnokulturore dhe historike, është një dhuratë e këndshme për banorët dhe brezat që do të vijnë në këto anë.
Autori zhvillon me një qëndrim ideoemocional, figurën kontekstuale të vendlindjes së tij, duke u fokusuar në vlerat që Muhurri ka krijuar në historinë e tij të largët dhe të afërt, me bëmat e njerëzve të shquar muhurrakë, që bënë emër në Dibër dhe në shkallë kombëtare, në mënyrën e jetesës dhe sjelljen e njerëzve të thjeshtë dhe plot mençuri e dinjitet, duke u ringritur si vlerë përballë kontekstit hitoriko-kulturor dhe duke u kundërqëndruar me fisnikëri rrethanave politike që diktonte koha. Madje, siç shprehet prof.dr.Shaban Sinani (në parathënie): “Libri i Halil Ramës është zgjidhja më komode. Sepse është një enciklopedi e gjithë zonës, prej hershmërisë antike deri në kohët moderne, me bëmat dhe gjëmat e saj, pa kritere përjashtuese, duke filluar prej përshkrimit gjeofizik deri tek ai etnografik e historik; mbështetur në kujtesën e shkruar dhe atë gojore”.
Ndërsa prof.dr.Bujar Kapexhiu, ndër të tjera shprehet” “Mbas leximit të librit ‘Muhurri, histori dhe personalitete’, edhe unë, si dibran, tashmë jam i bindur më mirë, më saktë e më hollësisht për vendin, ngjarjet me njerëzit. Njoh Muhurrin. E kështu, me plot gojën, nuk gaboj kur them se unë jam nga Muhurri! Nuk beson? Më pyet për gjithçka e jam gati të të jap përgjigjen për të gjitha e me hollësi…”
Halili është një mjeshtër i profilit. Duke krijuar personazhe si shembëlltyra që të mbeten në kujtesë. Tërë publicistika në 15 libra është në një linjë vetëpërmbushëse ku autori me mjeshtëri di të përveçojë protagonistë të veshur me detaje që vetëm syri i mprehtë dhe mendja pjellore i shpërfaq aq mjeshtërisht. Edhe në këtë monografi si dhe në librat e shkruara dekadën e fundit nga ky autor, zbulohet thelbi i marrëdhënieve njerëzore. Jetët e personazheve realë, janë të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme, drejt sfidës së jetës, drejt suksesit.
Shkrimi i tij depërton thellë në shpirt dhe zbulon botën delikate të intelektualëve muhurrakë, strukturën e tyrë si njerëz të matur që të veprojnë në kontekst duke marrë prej tij, maksimalisht suksesin. Ashtu siç është edhe vetë në jetë autori Halil Rama, personazhet realë që përshkruan, janë karaktere që bartin dashuri dhe buonsens, veti të qenësishme inteligjence. Në fushën e të shkruarit dhe në disa institucione kam punuar nga afër dhe këmbëngulja dhe vullneti i tij për të studiuar, për të mbledhur burimet parësore, për të mësuar nga përvoja e tjerëve është pjesë e stilit të punës kërkimore të Tij.
Halili e formoi personalitetin e tij, jo vetëm në praktikën krijuese voluminoze por edhe me studime të integruara formale universitare për drejtësi, çka i ka dhënë një surplus në interpretimin e dukurive shoqërore dhe ngjarjeve pikante të historisë. Prehistoria e krahinës së Muhurrit jepet me të dhëna të qëmtuara me finesë nga zbulimet e derisotme shkencore. Tradita etnokulturore dhe qëndresa e mbijetesa e këtyre banorëve është shembull sakrifice dhe vetmohimi për të jetuar me nder e krenari.
Është mbresëlënëse gjenerata e vonë e intelektualëve të Muhurrit, jo vetëm në shumësinë e tyre por dhe në impaktin publik që ato patën dhe vazhdojnë të kenë në shoqërinë shqiptare. Me mençuri ata kanë ditur të adaptojnë qëndrime dhe sjellje në përputhje me rrethanat e kohës, duke përzgjedhur qëndrime perspektive e duke u bërë të dobishëm e me vlera kombëtare dhe shoqërore. Halili i vendos intelektualët që nuk jetojnë dhe ata që jetojnë dhe kontribuojnë ende, secilin në vendin dhe piedestalin e merituar. Dashuria dhe ngrohtësia me të cilat ai i mbështjell ata, janë shprehje e humanizmit dhe shpirtit patriot, demokrat e liridashës të autorit.
Së fundi, duke i lënë radhë lexuesit të shijojë drejtpërdrejtë nokturnet dhe romatikën që shpërfaqen në libër, i cili, i shkruar me një stil të rrjedhshëm, ngjan me një ese të gjatë liriko-epike, si një databazë e plotë e vlerave të Muhurrit, duke plotësuar harmonishëm tablonë gjigande dibrane të njerëzve të ditur, të urtë e patriotë. Libri lexohet këndshëm nga përdorimi me mjeshtëri i mjeteve gjuhësore dhe stilistike, ngjyrimeve emocionale që fitojnë ngjarjet dhe personazhet, nën talentin dhe profesionalizmin e Halil Ramës. Halil Rama sjell jehonën e vendlindjes së tij të bukur dhe të dashur, si shembëlltyrë e jehonës që vjen nga e shkuara tek e sotmja dhe na zgjon të gjithëve e na thërret, për më shumë humanizëm, dashuri e dinjitet.