Luan Rama uron ish-Presidentin Meidani: Nuk bëri kurrë kompromis në dëm të demokracisë!

0
123

Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, ka uruar ish-Presidentit Rexhep Meidani, i cili festoi dje përvjetorin e tij të 76-të.

Në një mesazh në Facebook, Luan Rama shkruan se “Ndër të gjithë ata që në Shqipërinë paskomuniste zgjodhën t’i dedikoheshin politikës, emri i Profesor Rexhep Meidanit përveçohet dallueshëm e bindshëm si referencë integriteti dhe përkushtimi atdhetar”.

Mesazhi i plotë i Luan Ramës në Facebook

Në 76-vjetorin e lindjes:

PRESIDENTI REXHEP MEIDANI,
SI REFERENCË INTEGRITETI DHE PËRKUSHTIMI

Ndër të gjithë ata që në Shqipërinë paskomuniste zgjodhën t’i dedikoheshin politikës, emri i Profesor Rexhep Meidanit, President i Republikës në periudhën 1997-2002, përveçohet dallueshëm e bindshëm si referencë integriteti dhe përkushtimi atdhetar, ç’ka e bën atë edhe sot, modelin e njeriut të angazhuar, intelektualin që i bën nder vendit të vet, qytetarin përbashkues të vlerave të shoqërisë shqiptare, por, edhe politikanin model dhe shembull të standardeve morale, për të cilat politika shqiptare ka aq shumë nevojë.

Ndaj, nderimi që Presidenti i Republikës Ilir Meta i bëri Presidentit Meidani në 76-vjetorin e lindjes, duke i akorduar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, është një akt fisnik prej shtetari jo vetëm si vlerësim i merituar për zotin Meidani, por edhe si një qasje ndryshe prej realitetit absurd të politikës së konfliktit e gjuhës së vrazhdë të etiketimeve e fyerjeve, përfaqësuar prej një një brezi politik pa asnjë lidhje me vlerat që përfaqëson dhe mbron Presidenti Meidani.

E gjithë jeta publike e qytetare, intelektuale dhe politike e Rexhep Meidanit është një shembull, është një model se si njeriu kur zgjedh të punojë me dinjitet dhe përkushtim ndaj vendit, e bën këtë me të njejtin devocion, pavarësisht në është pedagog në universitet, shkencëtar në auditoret e akademisë, deputet në parlament apo edhe President i Republikës.

Pa zhurmë e bujë, me maturi dhe vendosmëri shembullore, Rexhep Meidani asnjëherë nuk bëri kompromise në dëm të demokracisë dhe të integritetit kushtetues të institucionit të Presidentit të Republikës.

Me luajalitet, por edhe me shumë vendosmëri, ai ka ditur të shënjojë gjurmë përcaktuese në historinë e ringritjes së shtetit pas kolapsit të vitit 1997, duke u bërë mbrojtësi dhe zbatuesi i parë i kushtetutës se re të Republikës së Shqipërisë, që u miratua me referendumin popullor të vitit 1998.

Si Kryetar i Shtetit ai dha shembullin e shërbimit ndaj detyrës në krizën politike të shtatorit 1998, duku u bërë barrikadë e mbrojtjes së institucioneve dhe e legjitimitetit të tyre.

E më tej, në krye të shtetit shqiptar gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, ai u bë udhëheqësi i një procesi historik të bashkimit kombëtar nën moton “ Një komb – një qëndrim”.

Ndaj, me shumë mirënjohje, faleminderit Presidenti Meidani!

Gëzuar ditëlindjen e 76-të dhe festofsh edhe njëqindvjetorin me shëndet të mirë dhe të tjera arritje e suksese.

Faleminderit për gjithë kontributet e dhëna, e mbi të gjitha, për modelin si referencë integriteti dhe përkushtimi ndaj popullit dhe atdheut!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here