Dy partitë fituese të zgjedhjeve të 15 korrikut BDI dhe LSDM në Maqedoninë e Veriut, arritën sot një marrëveshje bashkëqeverisjeje për katër vitet e ardhshme. Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati përmes një postimi në facebook, teksa ka uruar shqiptarët, thotë se ”Pika që do të siguronin barazinë e plotë ndërmjet dy komuniteteve shtetformuese, duke konsoliduar në të njëjtën kohë arritjet e deritanishme që kanë lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare dhe përfaqësimin e drejtimin e institucioneve kryesore të shtetit”.
Postimi i plotë
Pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut dhe marrëveshjes së nënshkruar sot për qeverinë e re, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dëshmojnë qartë vullnetin për të çuar përpara agjendën demokratizuese dhe europianizuese.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë në ballë të proceseve tona kombëtare. Kontributi i tyre për ndërtimin e një shoqërie europiane është i pazëvendësueshëm. Një përfaqësim sa më dinjitoz në parlament dhe marrja e përgjegjësive në të gjitha nivelet e qeverisjes, është garanci për përmbushjen e të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare, të 7 Janarit 2017.
Pika që do të siguronin barazinë e plotë ndërmjet dy komuniteteve shtetformuese, duke konsoliduar në të njëjtën kohë arritjet e deritanishme që kanë lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare dhe përfaqësimin e drejtimin e institucioneve kryesore të shtetit. Suksese për këtë arritje të merituar!