Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dalë sot me një mesazh dhe apel të fortë për të gjithë gazetarët, në mbështetje të fjalës së lirë dhe raportimit të të vërtetave përballë presionit të fortë, me të cilin përballen në detyrën e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit, thekson se “Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve krīminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre”.
Ai u bën lutje gazetareve të mos dorëzohen para presioneve të pushtetit dhe pronarëve!
“Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti”-thekson Meta.
Postimi i Metës:
Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik.
Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve krīminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.
Asgjë nuk e ndal Ndryshimin!
Madje koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh.
Tani ka ardhur Kohë tjetër!
Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti.
Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve!
Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e Tij.
Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment.
Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner!
Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi.