Lukashenko i Bjellorusisë dhe ‘Lukashenkot’ e Ballkanit Perëndimor

0
171
Nga Red Varaku 

Rasti i satrapit sovjetik Aleksander Lukashenko është rasti tipik i dështimit të politikave të Bashkimit Europian në raport me qëndrimin, që ata duhet të mbajnë kundrejt regjimeve autokrate të korruptuara. Për shkak të këtij dështimi, sot Bjellorusia është shumë afër një lufte civile me pasoja të parikuperueshme.

Përpjekjet e deritanishme për ta afruar Bjellorusinë me Perëndimin rezultuan në një fiasko.

Kjo jo vetëm për shkak se Lukashenko është një diktator, të cilin e mban në pushtet vetëm nevoja për të mbijetuar dhe lidhja e tij me Rusinë, por edhe sepse një satrap i korruptuar nuk ka se si ta dojë BE dhe Perëndimin, sepse më pas do të duhej të pranonte kushte dhe reforma, që natyrshëm do t’i kërcënonin pushtetin.

Pra, politikat e BE jo vetëm që kanë dështuar, por ato kanë shërbyer në favor të forcimit të pushtetit të tij, sepse nevojën e BE për të forcuar demokracinë në Bjellorusi, ai ia ka shitur Rusisë si kërcënim për interesat e Rusisë atje.

Me të njëjtën mënyrë ka luajtur dhe me BE, duke e detyruar atë të mos jetë aq agresive me regjimin e tij, duke e joshur me lirimin e të burgosurve politikë dhe duke e mashtruar me refuzimin e kërkesës ruse për një bazë ajrore në Bjellorusi, pra me premtimin për të qëndruar neutral në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrahinës.

Në fakt kjo është loja dinake e të gjithë satrapëve dhe autokratëve të korruptuar.

Të gjithë kur e kuptojnë se janë të rrethuar politikisht dhe duhet të largohen, i drejtohen për aleancë faktorëve anti-perëndimorë, duke kërcënuar me destabilitet dhe duke premtuar të rrisin praninë dhe influencën anti-perëndimore në vendin e tyre.

Këtë bëri Millosheviçi, i cili duke iu kundërvënë BE dhe Perëndimit, për të mbrojtur dhe zgjatur pushtetin e tij, i mbështetur nga Moska, shkaktoi me mijëra viktima dhe arriti gati të destabilizojë të gjithë Ballkanin.

Këtë bëri Gruevski, i cili kur e pa rritjen e presionit dhe izolimin e Perëndimit, tentoi të riaktivizonte aleanca e vjetra anti-perëndimore, si kërcënim për të shpëtuar pushtetin e tij.

Këtë po bën dhe Edi Rama, i cili deri tani ka qëndruar në pushtet nëpërmjet këtyre manovrave dhe mashtrimeve ndaj BE, duke e shitur veten si mbrojtës të vlerave perëndimore dhe si viktimë të përpjekjeve anti-perëndimore për ta rrëzuar nga pushteti.

Por, kur ‘Lukashenko’ ynë e pa se po i kërcënohej pushteti, menjëherë pas bllokimit të integrimit vjet në tetor, u rreshtua bashkë me serbin Vuçiç dhe u investua në krijimin e Jugosllavisë së Re, një projekt tipik rus dhe një presion i hapur ky ndaj BE.

Po ashtu, në mënyrë të paprecedentë dhe në shkelje të hapur të rekomandimeve të Perëndimit, ai ndryshoi kushtetutën në mënyrë të njëanshme, në një përpjekje të dështuar për të mbajtur pushtetin me dhunë.

Kështu që sjellja e satrapit Lukashenko nuk përbën ndonjë çudi. Vetëm se ndryshe nga ‘Lukashenkot’ e Ballkanit, për të cilët mekanizmat e presionit janë deri diku efikase dhe prodhojnë me siguri tranzicion pushteti, Bjellorusia është një vend ku presioni i BE nuk është se prodhon ndonjë ngjarje.

Kjo jo vetëm sepse mosndërhyrja në kohë dhe lënia në pushtet për një kohë të gjatë e Lukashenkos, ka ndihmuar në fuqizimin e regjimit të tij dhe në demoralizimin dhe asgjësimin e opozicionit ndaj tij, por edhe për shkak se Bjellorusia në rast izolimi nga Perëndimi do të detyrohet t’ia dorëzojë sovranitetin e saj Moskës, për shkak të lidhjeve të saj natyrale me Moskën.

Pra, nëse presioni ndaj ‘Lukashenkove’ të Ballkanit prodhon tranzicion pushteti, presioni ndaj Lukashenkos së Bjellorusisë, jo vetëm që nuk do të mund të prodhojë tranzicion, por do ta detyrojë Lukashenkon ta izolojë edhe më shumë Bjellorusinë nga Perëndimi.

Nga frika, ai do të detyrohet t’i kërkojë ndihmë zyrtarisht trupave ruse për të shtypur protestat dhe për të ruajtur rendin. Për këtë shërbim Rusia mund t’i kërkojë disa lëshime, të cilat mund të komplikojnë strategjinë mbrojtëse të Ukrahinës, duke e kthyer situatën në një situatë shumë të favorshme për interesat ruse në rajon.

Kjo po që gjeopolitikisht do të ishte një fitore e madhe për Moskën dhe një tjetër dështim i BE.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here