Fieri tronditet nga vdekja e këngëtares së njohur: Iku një artiste energjike dhe e përkushtuar…

0
163

Vdekja e Rainita Pupit, këngëtares së njohur të muzikës fierake, zv.drejtoreshë e shkolIës 9-vjeçare “Pinellopi Piro” në Fier, ka tronditur qytetin e Fierit e më gjërë. Vdekja është shkaktuar nga COVID-19. Kolegët e saj të shkollës ku punonte kanë shkruar një mesazh prekës, në përkujtim të zj. Pupi, në të cilin thuhet:

I pabesueshëm, por fatkeqësisht i vërtetë, lajmi i zi që morëm mbrëmë. Kolegia jonë, zëvendësdrejtore Rainita, humbi jetën në përballje me virusin kobzi, që po endet këtyre kohëve nëpër Botë. Me Rainitën, nga ky virus, shënuam të gjithë nga një humbje tonën. Të pazëvendësueshme!

Shkollës sonë iu pre një krah i fortë dhe energjik, i tillë që vështirë të zëvendësohet. Qytetit i iku një artiste energjike, e përkushtuar dhe gjithë pozitivitet, në kulmin e krijimtarisë dhe veprimtarisë së saj. Familjes i iku gruaja, nëna dhe gjyshja model, që secilin prej këtyre roleve familjare, e merrte me natyrshmërinë më të madhe. Me të njëjtën natyrshmëri sipërmerrte edhe rolet shoqërore dhe detyrimet si qytetare e angazhuar.

Humbja e Rainitës është e disafishtë. I pamundur është misioni, që dhembja të përkthehet në fjalë që ngushëllojnë familjarët dhe miqtë e saj më të afërt, e megjithatë, në emër të kolektivit të shkollës i përcjellim ngushëllimet më të ndjera familjes.

Në mënyrën më të pazakontë, iku një njeri jo i zakontë. Një njeri shumë i veçantë, për ne që e njohëm. I paharruar kujtimi yt, Rainita, mike dhe kolege e dashur.

“Pinellopi Pirro” do të të kujtojë e do të ta çmojë gjatë pasionin, energjinë dhe përkushtimin që solle ndër ne, kolegë, prindër e nxënës.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here