Pa ndërruar akoma kostumin e sovranistit që i veshi vetes kur votoi ndryshimet kushtetuese dhe prishi marrëveshjen me opozitën përkundër paralajmërimeve ndërkombëtare, Edi Rama ofrua dje si ndërmjetësues ndërkombëtar për të zgjidhur krizën e fundit mes regjimit të Lukashenkos dhe opozitës në Bjellorusi. Përgjigjia e Presidentit bjellorus është refuzuese. Në një çështje të brendshme të Bjellorusisë nuk mund të përfshihen të huajt, beson diktatori. Argument familjar për shqiptarët, që nuk e dëgjojnë për herë të parë këtë artikulim sovranist.
Edi Rama, në cilësinë e kryesuesit të radhës të OSBE-së, ka folur për këtë temë edhe me Ministrin e Jashtëm rus Lavrov. Ambasada ruse në Tiranë duke njoftuar për zhvillimin e kësaj bisede me kërkesën e kryeministrit shqiptar, deklaroi se Lavrov ishte shprehur kundër ndërhyrjes ndërkombëtare në një çështje të brendshme të Bjellorusisë. Sërish dëgjohet argumenti sovranist i artikuluar gjatë muajve të fundit edhe nga Edi Rama në Tiranë.
Me qëndrimin e tij alla-Edi Rama, Lukashenko i ka kursyer Europës një dhimbje koke të panevojshme. Përfytyroni pak fytyrën thartuar të liderëve europianë ndërsa Lukashenko, në konferencën për shtyp pas takimit me Ramën, i thotë Europës se nuk mund të sillni si ndërmjetësues të një polemike të brendshme dikë që i ka dhënë fund ndërhyrjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë në çështjet e vendit të tij. Aq më pak është i duhuri në këtë rol, njeriu që bën zgjedhje pa opozitën. Nëse Lukashenko fiton me 80%, Rama fiton me 90%, siç bëri në votimet moniste që zhvilloi për pushtetin lokal vitin e kaluar.
Mos e thëntë Zoti që dikush t’i dërgojë Lukashenkos me postë edhe nja dy kopje të gazetës gjermane BILD me kryetitull manipulimin e zgjedhjeve nga qeveria Rama në bashkëpunim të plotë me organizatat e mafias dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Besa, kjo do t’ia lehtësonte boll punën atij që ka vetëm 4 vite më shumë se Rama në pushtet.
Të vetëdijshëm për këto mëkate të Ramës, udhëheqësit europianë është dashur të stisin një artificë bajagi ashiqare dhe të ofrojnë si bashkëndërmjetësuese ministren e jashtme të Suedisë, e cila e merr drejtimin e OSBE-së pas plot 5 muajsh. Ndoshta më e gëlltitshme do të ishte nëse ata përfshinin në delegacion edhe pararendësin e Ramës në krye të OSBE-së, duke krijuar një trojkë, një numër gati-gati magjik në misione ndërmjetësuese të ngjashme. Por, hesapi i tyre nëse ata nuk kanë dashur të fshehin faktin se kjo ishte një gjetje vetëm për shkak të profilit të Ramës.
Në ethet e kësaj malarjeje diplomatike, nuk është e sigurt se për çfarë lutet më shumë Rama: që Lukashenko ta pranojë ofertën e tij apo që ai ta refuzojë një herë e mirë atë. Jo se shefit pa zgjedhje të OSBE-së i skuqet fytyra që drejton një vend pa parlament, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe me 100% të pushtetit lokal nën hyqëm, as se drejton një parti politike ku nuk është parë e arsyeshme prej tij që kryetari të zgjidhet, por të vetëzgjidhet.
Përkundrazi, një pikë e fortë e tij është vetë fakti që ai nuk shquhet si politikan sedërli. Çfarë mund ta lërë Ramën në këtë suspancë metafizike mund të jetë diskreditimi i udhëheqësve europianë.
Dhe pse të mos e themi që Putinin do ta argëtonte jo pak një tallje e tillë me Europën dhe derexhenë ku ka rënë ajo sot: të përfaqësohet në një sherrnajë me sebep zgjedhjet nga një njeri që blen zgjedhjet, shkrihet me mafian për të kërcënuar dhe frikësuar votuesit, kapet në përgjime duke diskutuar me drejtues të policisë arritjen e objektivave elektoralë të partisë së tij etj. Estradë e panevojshme për një Europë që kërcënohet nga debatet e saj të brendshme dhe rivalët e saj përreth dhe nuk i gjindet një negociator i denjë për të përcjellë zërin e saj.
Por mbi të gjitha, misioni ndërmjetësues i Ramës në Minsk do të na vinte përpara paradoksit të një sovranisti që na shfaqet si përfaqësues i ndërkombëtarizmit përpara një sovranisti të ngjashëm, që siç duket nuk është aq aktor i talentuar sa i pari për të ndërruar maskën dhe luajtur role kundërthënëse në të njëjtën komedi. E pse të mos qeshim, nëse e qeshura sipas Bergsonit na dhurohet pikërisht nga aksidente të tilla serioze?