Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin “FAST”, duke arrestuar një person me rrezikshmëri shoqërore, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Në pranga ka rënë 36-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit, si dhe është sekuestruar një armë zjarri pistoletë me një krëhër me fishekë luftarak.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që merren me shpërndarje të lëndëve narkotike apo qarkullojnë me armë zjarri, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore nga Forcat Operacionale pranë DVP Vlorë për një person me rrezikshmëri për komunitetin i cili qarkullonte me armë zjarri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fast”.
Forcat Operacionale pranë DVP Vlorë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë operacionit, në lagjen “1 Maji” në Vlorë, pranë një lokali kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin I. H., 36 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.
Gjatë kontrollit personal, në çantën e krahut, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë model “Beretta” me një krëhër me fishekë luftarak.
Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armë shpërthyese dhe municionit”.