Presidenti Meta vizitë në Drashovicë me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës: Të lartësojmë vendin tonë përpara kërkesave të kohës dhe zhvillimit

0
154

Në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z  Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Drashovicë të Vlorës.

Në ceremoninë e zhvilluar para monumentin që simbolizon Luftën heroike të Vlorës, Presidenti i Republikës u shoqërohej nga drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave atdhetare, të afërm të heronjve dhe luftëtarëve të Luftës së Vlorës, si dhe mjaft qytetarë të Bashkisë Selenicë dhe asaj të Vlorës.

Presidenti i Republikës gjatë fjalës së tij evidentoi simbolikën kombëtare të kësaj lufte dhe mesazhet që ajo jep dhe për brezat e sotëm. “Edhe pse emrat e luftëtarëve të Vlorës tashmë janë shkruar me gërma të arta në altarin e kombit, do të uroja që në të ardhmen ato të skaliten në mermerin e një basorelievi madhështor si ky i Drashovicës, ku prindërit tu rrëfejnë nipërve dhe mbesave emrat dhe historinë e luftërave e të parëve të vet.  Por nderimi më i madh që mund ti bëjmë kujtimit të tyre është që të gjithë bashkë të lartësojmë vendin tonë përpara kërkesave të kohës dhe zhvillimit.

Ta shndërrojmë gjithë trashëgiminë dhe potencialin njerëzor si komb në një energji pozitive për evropianizimin e vendit. Ti ngremë  përpjekjet dhe punën tonë në  lartësinë e plotësimit të ëndrrave të bijve e bijave të Drashovicës, të Vlorës dhe gjithë shqiptarëve patriot”,- deklaroi Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së organizuar në Drashovicë Presidenti i Republikës u shpreh:

I nderuar kryetar i bashkisë Z. Pëllumb Binaj,

Të nderuar miq të shoqatave atdhetare,

Të respektuar autoritete vendore,

Motra e vëllezër të Lumit të Vlorës

Jam shumë i lumtur të jemi sot bashkë në Drashovicë, këtu në Harkun e Triumfit të luftërave për liri, në vendin e kuvendeve dhe besëlidhjeve të burrave të kombit, aty ku u mbrujtën dhe nisën betejat e mëdha për çlirimin e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë

Është kënaqësi të jem mes jush këtu:

“Te ura në Drashovicë,

 Aty ku fillon Labëria,

Te porta e Labërisë,

Ku nis e gjëmon historia…

 

Të dashur qytetarë të Drashovicës

 Vlora e flamurit nuk mund të mos e ndante  madhështinë dhe lavdinë e kremtimit të 100 vjetorit të Luftës së 1920 me  Lumin e Vlorës, me Bregun e Detit, me Labërinë dhe  gjithë Shqipërinë!

Si dhe me të gjithë ato troje e krahina ku një shekull më parë do të ushtonin thirrjet:

Rroftë Vlora! Përpara drejt Vlorës!

Jehon edhe sot  më  kumbues se kurrë  betimi i madh i lebërve, vlonjatëve, kurveleshasve, tepelenasve, mallkastriotëve, gjirokastritëve, përmetarëve, beratasve, shkodranëve dhe shqiptarëve të emigruar në SHBA :

Ja do bëhet Vlora jonë, ja do bëhet shkrumb e hi…

Njëqindvjetorin e kësaj epopeje të lavdishme e nisëm në Poçemin e besëlidhjes mallakastriote të komandant Halim Hamitit, për tu ndalur në Kalanë e Tepelenës të Selam Salarisë nga u nisën luftëtarët e jugut, u bashkuam në Pilurin e Kolë Mërkurit dhe tani jemi mes jush në Drashovicën e çetave të lumit të Vlorës, për të vazhduar më tej në Tiranën e qeverisë së Sulejman Delvinës dhe për ta finalizuar në Vlorën e Flamurit tonë Kombëtar!

Vëllezër dhe motra,

Shqiptarët kurrë nuk ja kanë kthyer shpinën armikut.

Gazeta “ Drita” do të shkruante atëherë:

“Shqiptarët që nuk i janë përkulur Romës dhe Turqisë, nuk mund të tolerojnë shtypjen e huaj, në shekullin në të cilin u ngjallën edhe kombet më të vdekura!”

Krismat e pushkëve shqiptare zgjuan nga gjumi gjithë kancelaritë e Evropës dhe dogjën me flakët e luftës të gjitha planet e fshehta për ndarjen e Shqipërisë!

Ultimatumi i Komisionit të Beunit për Gjeneralin pushtues Piacentini ishte si shkarkim rrufesh prej maleve të Çikës dhe të Vetëtimës:

“Populli i Vlorës kërkon heqjen e ushtrisë italiane dhe bashkimin me Tiranën, ndryshe me armë në dorë do të rebelohet. Në mos mundtë, do të vdesë për liri…”

Kënga e atdhetarit Ali Asllani u bë himn i luftës së shqiptarëve:

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

 

Me këtë kushtrim në gojë dhe dashurinë e flaktë për atdheun dhanë jetën qindra luftëtarë për Çlirimin e Vlorës,  Labërisë dhe krejt trojeve të shtetit tonë.

Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut!

Në këto male, qafa dhe gërxhe luftuan dhëmb për dhëmb dhe burrërrisht me armikun mbi 4000 shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe 200 vullnetarët heronj të Vatrës ardhur nga Amerika.

Në krah të burrave edhe gratë luajtën një rol të madh si në vijën e parë të sulmit, si Sado Koshena me shoqe, po ashtu edhe në prapavijë që aq bukur e jep kënga:

Eni shoqe t’u ndihmojmë

Vëllezërve që po luftojnë

 

Të nderuar miq,

Kemi ardhur të gjithë bashkë këtu në Drashovicë të kujtojmë e nderojmë burrat e gratë e këtij vendi që i dolën zot atdheut në ditët më të vështira.  Të përkulemi para 12 mëmëdhetarëve të shquar të Komitetit Mbrojtja Kombëtare:  komandantëve Osman Haxhiu e Ahmet Lepenica, Qazim Kokoshit, Alem Mehmeti, Beqir Sulo Agalliu, Ali Beqiri, Murat Miftari, Hamit Selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzarai, Sali Bedini e Qazim Koculi.

Të vlerësojmë lart besëlidhjet që frymëzuan popullin për beteja, si ato të Nivicës, Gusmarit, Smokthinës, Poçemit  dhe sidomos kuvendet e zjarrta të Barçallasë dhe Beunit që zgjodhën komisionin e luftës, shpallën ultimatumin dhe organizuan politikisht dhe ushtarakisht luftëtarët shqiptarë.

Jemi së bashku në Drashovicë për tu përkulur me nderim ndaj heroizmit, të Çetave të Lumit të  Vlorës të udhëhequra heroikisht prej Komandant Sali Vranishtit, Çetës së Drashovicës,  Bolenës, Kallaratit, Tërbaçit, Gjormit, Gumenicës, Lepenicës, Bratajt, Lapardhasë dhe gjithë Çetave të Labërisë.

Sot nga ky Monument Lirie kujtojmë me admirim betejat e mëdha të historisë dhe gjakun e derdhur pikërisht këtu në betejat e Drashovicës, por edhe kudo, në Kotë, Qafës së Koçiut, Qafës së Vreshtave të Mëdha, Kuzbabasë, Kaninës, Bestrovës, Gjormit, Llogarasë, Matohasanajt e Tepelenës.

Nder e mirënjohje Kongresit Kombëtar të Lushnjës, Këshillit të Shtetit dhe Qeverisë së Sulejman Delvinës, si dhe gjithë atyre që dinjiteti, kombi , shpirti i lirisë ja kërkoi të mbështetnin luftën e Vlorës!

Mirënjohës përjetë historianëve, shkrimtarëve, poetëve, studiuesve, këngëtarëve popullorë, muzikantëve, piktorëve e skulptoreve që e ringritën në shkencë, art dhe krijimtari këtë faqe të shndritshme të historisë sonë kombëtare, sikurse është edhe ky monument madhështor i Drashovicës i Skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami që e kemi edhe sot midis nesh!

 

Të dashur miq,

Shqiptari i thjeshtë mbetet heroi më i lavdishëm i kësaj lufte.

Kushtrimi e thirri atë nga çdo fshat, krahinë, trevë e qytet për liri. Ata rrëmbyen armët dhe u ngritën me forcë të paepur për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe pavarësisë kombëtare. Organizimi i tyre ishte perfekt, kundër një ushtrie prej 20 mijësh e armatosur deri në dhëmb.

Fshat më fshat kartat u ndanë,

Vunë çetat kumandarë,

Salari Selam Musanë,

Në Vranisht Sali Muranë… 

Të gjithë një fjalë thanë ,

erdhëm dhe do dërdhëm gjak…

 

Të mos harrojmë se pikërisht këtu në Drashovicë  luftëtarët e çetave të Lumit të Vlorës, shkatërruan  heroikisht sistemin e mbrojtjes së armikut dhe i dhanë Luftës së Vlorës kahun e fitores së madhe.

 

Betejat e shqiptarëve të luftës së vitit 1920  i përcollën botës forcën e madhe të një populli të vendosur që lufton për gjënë më të shenjtë të tij, Lirinë e Atdheut.

Evropa shkruajnë e thonë,

Ç’është kështu si dëgjojmë,

Bëhet dyfek në Vlorë,

Shqipëtarët po lufojnë me një mbret dyzet milionë…

Të dashur motra dhe vëllezër të Lumit të Vlorës dhe krejt Labërisë

Dëshira jonë do të ishte që në këtë përvjetor të vlerësonim emër për emër çdo luftëtar dhe atdhetar.

Edhe pse emrat e luftëtarëve të Vlorës tashmë janë shkruar me gërma të arta në altarin e kombit, do të uroja që në të ardhmen ato të skaliten në mermerin e një basorelievi madhështor si ky i Drashovicës, ku prindërit tu rrëfejnë nipërve dhe mbesave emrat dhe historinë e luftërave e të parëve të vet.

Por nderimi më i madh që mund ti bëjmë kujtimit të tyre është që të gjithë bashkë të lartësojmë vendin tonë përpara kërkesave të kohës dhe zhvillimit.

Ta shndërrojmë gjithë trashëgiminë dhe potencialin njerëzor si komb në një energji pozitive për evropianizimin e vendit.

Ti ngremë  përpjekjet dhe punën tonë në  lartësinë e plotësimit të ëndrrave të bijve e bijave të Drashovicës, të Vlorës dhe gjithë shqiptarëve patriot.

Ta ndërtojmë atdheun tonë të dashur për të jetuar të gjithë qytetarët tanë, jo vetëm sot por sidomos brezat më të rinj që do të vijnë.

Rroftë populli i Drashovicës dhe Lumit Të Vlorës,

Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës,

I përjetshëm kujtimi i Heronjve dhe  dëshmorëve të Atdheut!

 

Dekoratat e dhënë nga Presidenti janë:

 

Zaçe Xhelos (Pas vdekjes) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Bajram Qamilit (Pas vdekjes) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Azem Sulos (Pas vdekjes) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Ali Metushit (Pas vdekjes) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Qazim Koculit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Çaush Tafilit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Zyber Musait (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Demir Mystehakut (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Çaush Mehmetit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Mehmet Fegës (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Mane Aliut (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Selman Hysenit (Gjondeda) (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Fejzo Tafilit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Bajram Mehmetit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Hysni Fallanit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Hakim Hysenit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Isuf Rustemit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Mehmet Musait (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Fejzo Islamit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Sherif cenajt (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Muhamet Bedinit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Mato Hasanit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Halim Rakipit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

 

Gani Iliazit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Sulo Hoxhës (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Todi Anastasit (lubonjari) (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Toli Kitës (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Rubie Hosit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Miserdhe Rexhepit (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Mehmet Selimit (Pas vdekjes) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Rrapo Çelos (Pas vdekjes) “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Hasan Hysos (Pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Hodo Zeqirit Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Rexhep Sulejmanit Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Birbil Sinanit Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Çoban Nuredinit Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Selim Sulejmanit Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Mumtas Dhrami Dekoratën “Nderi I Kombit”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here