Koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni ka deklaruar qartë sot pas takimit në Bruksel se Serbia po tenton të zvarrisë dhe manipulojë procesin.
Hyseni tregon se sot pala serbe në prani të Miroslav Lajçak i është rikthyer disa çështjeve për të cilat ka pasur dakordësi më parë.
“Pala serbe sot është treguar jokonstruktive. Dhe kjo duhet të theksohet me zë të qartë dhe të lartë. Pala serbe sot madje u është kthyer edhe elementëve për të cilët kemi pas dakordim në parim. Serbia ka bë përpjekje që të rihapë kapitujt të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për të cilat kemi pasur një dakordim në parim. Krejt kjo vërteton atë brengën, atë shqetësimin që unë kam shfaqur prore se Serbia synon të zvarrisë, të vendosë në tavolinë çështje të cilat kanë vetëm një synim, që procesi të zvarritet e të rrëshqasë eventualisht në diçka që ne assesi s’do ta pranojmë”, ka thënë Hyseni pas takimit.
Më tej Hyseni ka garantuar se për Kosovën do të ketë një marrëveshje sipas kërkesave të saj të deklaruara publikisht.
“Sidoqoftë, Kosova edhe sot ka vazhduar të jetë shumë konstruktive në kuptim të mbrojtjes rigoroze të interesave të saj, por në të njëjtën kohë duke qenë pala që ka përnjëmend këtë proces e synon të arrijë marrëveshje paqeje e normalizimi me Serbinë. Pa shmangshëm kjo marrëveshje duhet të sjellë njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. S’mund të ketë asnjë marrëveshje tjetër. Njohja reciproke e krijon atë paradispozitën thelbësore për të trajtuar të gjitha çështjet që mund të ekzistojnë mes shteteve, çështje kontestuese, të interesit të ndërsjellë apo quajeni si të doni. Ka tani çështje të tilla e do të ketë në të ardhmen e përjetësisht do të ketë çështje kontestuese mes dy shteteve sovrane e të pavarura. Do të ketë tema të tilla që në aktualitetin e sotëm s’janë të pranishme, por një ditë mund të dalin. Mirëpo korniza që garanton trajtim dhe zgjidhje e zbatim të çdo marrëveshje të çfarëdo çështjesh që ekzistojnë është njohja reciproke. Pa këtë kornizë ne vetëm mund të rrëshqasim në dhjetë vjetësh tjetër të humbjes së kohës krejtësisht pa nevojë dhe të thellimit të mospajtimeve që edhe ashtu janë të mëdha”, shton Hyseni.
Sa për dyshimet e tij, Hyseni u shpreh i bindur se Kosova nuk do të lejojë manipulim të procesit nga Serbia.
”Nuk duhet të lejohet që procesi të manipulohet nga Serbia. Ka shenja bukur serioze se synohet një manipulim i gjithë procesit”.- garantoi Hyseni.