Një raport i një organizate të specializuar, i mbështetur nga agjencia e njohur gjermane GIZ, ka zbuluar se prej vitit 2016 e këndej, janë pastruar në sektorin e ndërtimit 1.6 miliard euro para të ardhura nga krimi. Para e pistë që do të mjaftonte të prishte ekonominë, rregullat, konkurrencën edhe në një vend të madh, jo më në një si i yni.
Po çfarë tregojnë vitet dhe koha kur është zhvilluar dendur ky aktivitet? Tregojnë hiç më pak se ky ishte një projekt mirëfilli politik. Nuk ka ndodhur dukuria si të thuash veçmas, në lirinë e saj, por është ndërkallur me votën, me pushtetin, me qeverisjen.
Jemi pra në vitin 2016 kur ka rinisur bumi i ndërtimeve. Përkim rastësor nuk ka si të jetë pikërisht me kohën kur ishte kulmi i kanabizimit të vendit. Pranuar kjo më vonë edhe nga autoritetet tona që vazhdimisht e mohuan mbjelljen masive të kanabisit. Parcelat me marijuanë, magazinat dhe skafet, e gjithë industria, nuk solli vetëm beton e ngrehina në kryeqytet kryesisht.
I gjithë ky mekanizëm prodhoi po ashtu, edhe një mandat të dytë të bollshëm e të fuqishëm për rilindjen, plot 75 deputetë. E kemi parë se si djemtë problematikë e bandat e organizuara të drogës, të kapura në përgjime, u kthyen në shtabe elektorale. Afërmendsh se s’mund të pastrohen 1.6 miliard euro të pista nën hundën e qeverisë, pa dijeninë e saj. Por në rastin tonë, kemi të bëjmë me një strategji të orkestruar mirë, ku paratë lumë të trafikut, u shndërruan në vota, beton e pushtet.
Jo më kot, disa media prestigjioze kanë arritur në konkluzione dramatike, duke e quajtur Shqipërinë, narkoshtet. Pastrimi i parave është raportuar çdo vit si shqetësim në gjithë raportet e institucioneve dhe ngelet një çështje që e kërkon BE për ta luftuar në emër të integrimit. Po është sak e kotë të shpresosh në korrigjimin e fenomenit prej vetë krijuesve. E vetmja zgjidhje është ajo politike. Vetëm rrotacioni, këputja e lidhjes së krimit me pushtetin do të sillte ndalimin e dukurisë./Marrë nga Mapo.al