Gjyshi dhe stërgjyshi nuk e bëjnë patriot kryeministrin tonë!

0
190

Nga Enver Bytyçi

 

Kur i duhet, thërret në ndihmë babain! “Ishte në anën e duhur të historisë”, thotë kryeministri ynë. Kur sheh se nuk i shkon kjo lojë politike dhe vihet para akuzave për tradhti, atëherë shqiptarëve u servir gjyshin, gjyshen, stërgjyshin dhe stërgjyshen, emrat e të cilëve rrezik se i ka harruar edhe vetë. Ndërsa shqiptarët as i kanë dëgjuar këta emra për ndonjë bëmë historike e aq më pak patriotike.

Në kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet se “Nga i miri del i keqi dhe nga i keqi del i miri”! Edhe nëse të parët e Ramës paskan qenë “të mirët” ose “më të mirët”, fatkeqësisht prej tyre ka lindur djalli vetë! Ndaj Edi Ramës i duhet t’u dëshmojë shqiptarëve se nuk është mashtrues dhe intrigant edhe kundër integritetit territorial të trojeve shqiptare e jo të mbrohet me çfarë kanë qenë paraardhësit e tij!
Nëse dëshiron ta bëjë këtë, ai duhet të japë përgjigje për disa çeshtje që kanë të bëjnë me patriotizmin:

1. T’i bindë shqiptarët me fakte, jo me batuta kundër opozitës, se “nuk është bërë pjesë e ndarjes së Kosovës”, dhe se “nuk ka luajtur lojën e presidentit serb në këtë projekt të Serbisë së Madhe”!

2. T’u thotë shqiptarëve pse nuk reflektoi asnjë çast për shpopullimin e Shqipërisë, një akt ky i dëshiruar prej më shumë se një shekulli nga ish-kryeministri serb, Vladan Gjorgjeviç dhe pasardhësit e tij, Nikolla Pashiç, Aleksandër Rankoviç, Sllobodan Milosheviç e Aleksandër Vuçiç dhe elaboruar nga Vasa Çubrilloviç dhe njeriu idol i Edi Ramës, Ivo Andriç!

3. Pse e përçau klasën politike në Kosovë, duke keqpërdorur miqtë e tij në Prishtinë, si Hashim Thaçin dhe duke denigruar me fyerje të rënda politikanët kundër tij, si Ramush Haradinaj?

4. Pse në konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, si psh për sa i përket minishengenit, kufijtë etj, mbajti anën e Beogradit dhe jo të Prishtinës?

5. Të thotë pse në Shkodër investon dhe dërgon buxhet aq sa i jep Roskovecit? A është patriotizëm të diskriminosh rajonet shqiptare?! A është patriotizëm t’ua japësh pasurinë kombëtare një grushti biznesmenësh, me të cilët e ndan këtë pasuri, përmes PPP-ve?

6. Të shpjegojë se pse u desh që të ndërhynte presidenti i Republikës, Ilir Meta, për të ndërprerë nënshkrimin e marrëveshjes detare midis Ramës dhe Thsipras-it?

7. Pse nuk kërkon edhe Edi Rama që kufiri detar me territorin tokësor shqiptar të shtrihet në 12 milje, meqë për këtë ai arsyeton dhe i jep të drejtë kryeministrit grek, Mitsotakis? Dhe ta shohim se ku takohen grekët e shqiptarët pas 24 miljeve (12 grekët e 12 shqiptarët)!

Nuk po zgjatem, por edhe historianët e indoktrinuar me ideologjinë e Ramës nuk do të guxonin që ta etiketonin Edi Ramën një patriot shqiptare, kur ata të analizojnë veprimtarinë politike e shtetërore të kryeministrit të Shqipërisë.

Patriot nuk të bën as gjyshi, as stërgjyshi, patriot të bëjnë ose të zhbëjnë veprat që lë pas!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here