133 raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga 820 testime të kryera. Vatra kryesore vijon të jetë kryeqyteti. Mesatarja javore e rasteve të reja për javen 35 është 153 raste /javë. Gushti ka qënë muaji me numrin më të lartë të viktimave nga virusi që nga fillimi i epidemisë. 127 persona kanë humbur jetën nga Covid-19 gjatë këtij muaji, ndërsa numri në total i viktimave është 284.
Në Shqipëri, rastet e reja të konfirmuara me Covid-19 shënuan një rënie prej 18 përqind javën e shkuar, ndërsa paralelisht dhe testimet ranë me 14 përqind krahasuar me një javë më parë. Sipas të dhënave zyrtare javën e shkuar u rregjistruan 908 të infektuar, të zbuluar nga 5233 testime të kryera në laboratorët publikë dhe ato privatë. Në të kundërt, numri i viktimave shënoi një rritje. Janë 30 persona, të cilët humbën jetën, nga 26 të tillë një jave më parë.
Në 24 orët e fundit u shënuan dhe 4 viktima të tjera: një 56-vjeçar nga Tirana, një 70-vjeçare nga Elbasani, një 77-vjeçar nga Durrësi, një 87-vjeçar nga Fieri.
Numri i të shtruarve në spital vijon tendencën në rritje. “Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 180 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 6 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë./VOA