Milo Gjukanoviç drejton vendin prej 1991, katër herë si kryeministër dhe dy herë si President (shih tabelën). Ai është ‘njeriu i fortë’ në këtë shtet.
Midis demokracisë dhe stabilitetit, gjithnjë perëndimi zgjodhi stabilitetin dhe ai ofroi 30 vjet stabilitet, por pak demokraci funksionale!
Nëse partitë e opozitës bashkohen, ata bëhen shumica. Partia më e madhe e opozitës është nacionaliste, populiste dhe pro serbe/ruse dhe fitorja e saj nuk është i lajm i mirë për fqinjin tonë verior dhe as shqiptarët atje e në rajon.
Megjithatë, fitorja e tyre është humbja e modelit të ‘njeriut të fortë’ që kontrollon gjithçka dhe për gjithmonë, pra është më shumë dhuratë sesa meritë.
Po roli ‘strategjik’ i Shqipërisë? Kryeministri ynë ia lejoi vetes të bëjë video mesazh në gjuhën serbe ‘Milo, faleminderit që ekziston’, rasti i parë kur Tirana zyrtare përfshihet në këtë formë në zgjedhjet rajonale jo në favor të subjekteve shqiptare, por të një pale tjetër.
Rezultati tregon se as video mesazhi i Ramës dhe as i Zaev nuk dha ndonjë efekt, përkundrazi mund të ketë efekt negativ në aspektin afatgjatë. Shqiptarët fituan direkt dy mandate, por ka shqiptarë të tjerë në koalicionet e partive të tjera, një prej të cilëve mund të përcaktojë shumicën.
Me ata/ atë Tirana zyrtare nuk ka komunikim, sepse midis tyre dhe të tjerëve ne kemi … Milon!
Katër mesazhe nga zgjedhjet malazeze vlejnë për ata që kuptojnë në Tiranë:
E para, modeli autoritar nuk është më trendy dhe stabiliteti pa demokraci nuk është opsion i qëndrueshëm dhe as funksional; e dyta, pjesëmarrja e lartë në votime tregon besimin tek prurjet dhe ofertat e reja që në këto zgjedhje nuk munguan, as mes shqiptarëve; e treta, faktori shqiptar mori aq mandate të shpërndara sa mund të jetë përcaktues për qeverinë, pavarësisht se Tirana zyrtare e djeshme dhe e sotme nuk kanë as ide, as platformë, as koordinim për të burim të rëndësishëm vendimmarrës në shtetin fqinj; dhe së fundi, po bie ndikimi perëndimor në rajon në interes të aktorëve të tjerë të jashtëm dhe ky mbetet zhvillimi më negativ, i cili kërkon rishikim e reformim emergjent të politikave dhe të raportit të Brukselit/Uashingtonit me liderit tanë autoritaristë ndaj një brezi të ri votuesish gjithnjë e më të pakënaqur dhe protestues.