Gjermania i ka bërë thirrje Rusisë që të rrisë përpjekjet në hetimet për atë sesi është sëmurë lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili aktualisht po trajtohet në një spital në Berlin, pas dyshimeve për helmim.
Duke folur para ambasadorëve francezë në Paris, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka paralajmëruar për “re të zeza”, mbi marrëdhëniet bilaterale të Evropës me Moskën, duke thënë se kontinenti është në rrezik.
“Natyrisht se kemi presim që Rusia do të kontribuojë më shumë në qartësimin e rastit të Navalnyt në krahasim me atë që po bën tani”, ka thënë ai.
Navalny është sëmurë gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë më 20 gusht, andaj udhëtimi është ndërprerë në Omsk, ku ka kaluar dy ditë në spital para se të evakuohej për në Gjermani.
Navalny, 44-vjeçar vazhdon të jetë në kujdes intensiv në spitalin Charite në Berlin.
Mjekët e spitalit gjerman kanë thënë se Navalny është helmuar me një substancë aktive që gjendet në disa ilaçe, pesticide dhe agjentë nervorë.
Ekipi i Navalnyt beson se ai është helmuar dhe se Kremlini ka pasur rol në këtë rast.
Mjekët rusë në anën tjetër kanë thënë se testimet e kryera nuk kanë gjetur ndonjë gjurmë të helmit, derisa kanë qenë duke trajtuar Navalnyn.
Dyshimet për helmim të Navalny kanë shtyrë qeveritë perëndimore që të bëjnë thirrje për transparencë të plotë, derisa politikbërësit kanë thënë se kërkojnë një mori përgjigjjesh nëse konfirmohet se Kremlini ka pasur rol në përkeqësimin e gjendjes së Navalnyt.
/REL