Nga Agron Gjekmarkaj
Raportet që shkruhen për Shqipërinë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, agjenci dhe shoqata prestigjioze europiane e ndërkombëtare, gjithnjë e më tepër ngarkohen me nektarin e negativitetit mbledhur kudo nëpër vendin tonë. I tillë ishte më i fundit prej tyre, i shkruar nga “Global initiative”. Ai analizonte ekonominë e ligjshme dhe të paligjshme, ryshfetin, ku sipas tij 50% e qytetarëve e paguajnë kudo dhe për gjithçka, rrogat më të ulëtat në rajon, tenderët korruptivë si keqpërdorim makut i parasë publike, klientelizmi i PPP-ve, kanabizimi i vendit, trafiku i drogës, pastrimi dhe ndikimi i parasë së trafikut në politikë, si dhe ndërhyrja në zgjedhje, duke mbajtur referencë publikimet e tabloidit gjerman “Bild”.
Gjithmonë, vëzhgimet e kësaj natyre nuk e kanë nxjerrë mirë Republikën tonë në pasqyrën e integrimit evropian, sepse veset tona janë derdhur me furi mbi ligjet, pronat, ambientin, të drejtat dhe standardet demokratike krejt si ujërat e zeza në qytete pas çdo shiu. Por më fort se kurrë, e zeza e bojës dhe e zeza jonë u bënë bashkë, u trashën, qysh pas vitit 2013 kur bota e krimit e hodhi tutje mantelin e indiferencës, të faktorit që luan pas kuintave, të atij që tërheq fijet duke mbajtur fshehur fytyrën e tij të vrazhdë dhe pa gajle u bë një me politikën lokale e qendrore, duke spikatur me përfaqësuesit e vet. Një ndryshim epik ndodhi. Nëse më parë komponentë të kësaj nahije mbanin shoqëri me shoferë politikanësh, tani u bënë politikanë vetë.
Nën vështrimin dashamirës dhe syshkeljen e Edi Ramës, gjithsa është ende gjallë. Prova është te deputetët dhe kryetarët e bashkive, pa thirrur në ndihmë perceptimin për ato që nuk i shohim, por i dëgjojmë. Kryeministri ka themeluar një epokë të re të “rilindjes” së ceneve shoqërore. Në fshatra e qytete u ndie kudo vullneti i tyre prej “Robin Hood-ësh”, që iu marrin të varfërve për t’i ndarë me njëri-tjetrin. Ata heqin dhe vënë nishane. Tek ata duhet ta marrin izmin kandidatët për kryetarë bashkie dhe për deputetë. Një herë shpallet aleanca me ta, pastaj me elektoratin. Ata i vënë njerëzit nën be për të votuar dhe u lëshojnë bakshishin përkatës. Pas fitoreve, me apo pa kundërshtarë përballë, me hallkat e qeverisjes me ta i ndajnë punët publike dhe vendet e punës. Kësisoj, fuqia e tyre rritet, instrumentet e joshjes dhe kërcënimit po aq. Qytetari i zakonshëm ul kokën, sheh punën e tij për aq sa e lënë e shumë të tjerë vetëm ikin, duke i tejkaluar 350 mijë vetat qysh nga viti 2015. Ata që s’ia kanë dalë ende ta bëjnë, e ëndërrojnë. Shqipëria kudo ngjan e ndarë kësisoj në zona të tilla influence.
Pasi u hoq njolla e turpshme e Lazaratit, ngjyra e kanabisit mbuloi gjithë territorin, pos sheshit “Skënderbej”, teksa fshati i njohur u bë tabelë qitjeje e propagandës, i cili tanimë zgjon më shumë mëshirë se vëmendje. Kanabisi fitoi qytetarinë nën mbrojtjen dhe admirimin e strukturave shtetërore. Ministrat e Brendshëm ndërruan, por fenomeni vazhdon me të njëjtën forcë. Tani pothuaj nuk flitet sepse mendohet si aleat për zgjedhjet politike. Raporti i “Global Initiative” e thotë me shifra se si kjo para hyn në ekonomi, si i hapet rruga nga pushteti duke u shndërruar në faktor korruptues, sfidues dhe ndikues.
Për momentin mjafton që të kesh pushtetin, se qenka më e lehtë ta shndërrosh krimin në politikë kulturore, në mentalitet shoqëror, në lokomotivë ekonomikë, sesa ta luftosh atë. Tani është ai vetë që përcakton çfarë është krim e çfarë jo, çfarë dënohet e çfarë jo, çfarë tolerohet e çfarë jo. Lufta ndaj tij vë në rrezik pushtetin. Madje, edhe Operacioni Forca e Ligjit të krijon përshtypjen e një presioni për ta afruar ende më në bashkëpunim faktorin kriminal në vitin elektoral, sesa për ta goditur realisht atë.
Tymi, mjegulla a retë se Shqipëria kështu është kriminale, s’ke ç’i bën, përvijohet në sintoni me këtë “sukses” politik dhe ekonomik. Qeverisë, e cila nëpërmjet dosjeve “339” dhe “184” shfaqet në bashkëpunim vëllazëror në marrjen forcërisht të votave, përmes korrupsionit dhe shantazhit me “bosët” lokalë, natyrisht që të tilla raporte i japin bezdi, por vetëm kaq. Ajo e di që kjo mbërrin, por pushteti mbetet themelori, se balta a pluhuri që bie mbi të mund të pastrohet. Sot mujshari shëtit kudo nëpër sheshe publike me makinat enigmatike me xhama të zinj, me shpurë e frotë nga pas, qytetari normal rri në qoshe me lutjen që shikimi i tyre të mos bjerë mbi të. Kështu do të vazhdojë për shumë kohë nëse ata nuk dalin të gjithë bashkë nga qoshet për të zënë sheshet, sepse ajo “që bashkimi bën fuqinë, mbetet”. Probleme me kriminalitetin dhe politikën, si vasale të tij kanë pasur dhe ende kanë shumë prej vendeve më demokratike, por qytetarët kanë reaguar me beteja të gjata emancipuese, aq sa sot “të fortët” kanë interes të shfaqen të dobët dhe të padukshëm, teksa qytetari s’ka frikë prej tyre, i bindur që në institucione nuk vendosin ata, por fryma e ligjeve. Për sa kohë kjo vetëdije nuk bëhet mbizotëruese, do lexojmë vetëm raporte të tilla dhe sa më gjatë të shkojë, mund t’i lëçisim ato ilegalisht, ndërkohë që tregohemi hipokritë kur u mësojmë studentëve Danten, Shekspirin, Naimin, Fishtën, Kadarenë sepse me ata nuk do qesin asgjë në dritë. Le t’u shpjegojmë historitë e kriminelëve më të famshëm të botës, mbase kështu i përgatisim më mirë për jetën në këtë truall, ku na ka rënë koka dhe mjalta është më e ëmbël se balta.