Gjahtari i lekut!

0
152

Nga Artan Fuga/

Ne, në ato vite, kalamaj harrakatë në rrugën Islam Alla, një rrugicë atëhere e mrekullueshme shtruar me kalldrëm dhe me shtëpi të pastra qerpiçi kryesisht, plot me kopshtije dhe me pemë frutore, lidhëse mes Myslym Shyrit dhe rrugës të Kavajës, kishim mësuar një lojë sa qesharake aq edhe të rrezikshme.

Nuk e mbaj kush na e futi ndërmend!

Nga një portë prej druri që i takonte familjes të njerit prej nesh, ku kishte një të çarë të vogël, nxirrnim një fije peri në fundin e së cilës lidhnim një një mijë leksh të asaj kohe. Një mijë lekshi qendronte në mes të rrugës sikur dikujt t’i kishte rënë nga xhepi a portofoli. Ideja ishte që kur njeriu që kalonte në rrugë ta shihte, të ulej ta merrte, dhe ne ta tërhiqnim fshehurazi fijen e perit që letra e lekut të lëvizte në rrugë dhe ndjekësit e saj t’i shkonin pas.

Mos harrojmë që ajo rrugicë ishte strategjike sepse andej kalonin nëpunës që ekishin banesën në Tiranën e Re, dhe punonin nga ana e Rrugës të Durrësit ku kishte institucione si ministria e arsimit, shtëpitë botuese, zyra të Komitetit Ekzekutiv, etj.

Sot mendoj që ndofta ai që na e shtiu në mendje këtë lojë për të provuar dinjitetin dhe ndershmërinë e nëpunësve ka qenë ndonjë armik i popullit, ndonjë disident i fshehur, ndonjë i pakënaqur, ose thjesht ndonjë tironc i djallëzuar që dëshmone kështu sesa vlente teoria e njeriut të ri të pakorruptuar.

Sa herë e kemi provuar atë lojë, sa gëzime, të qeshura dhe zhgënjime kemi pasur. Mbi dhjetë kalamaj fshiheshim pas derës prej druri, secili kishte vendosur syrin në një nga të çarat e saj për të parë skenën e teatrit dhe komedisë që do të luhej në rrugë. Nja dhjetë kalamaj të tjerë rrinin shpërndarë në rrugicë, gjoja në punë të tyre, por që ishin përqendruar te ngjarja që do të ndodhëte.

Dhe njeri prej nesh, me radhë, kryente veprimin, tërhiqte fijen me lekun në majë, shtrirë njëmijë lekshja në rrugën me kalldrëm, dhe e tërhiqte atë sipas rastit. Ai ishte peshkatari. Ishte si një gjueti peshku, ku paraja prej letre ishte grepi.

Cfarë nuk na kanë zënë sytë! Një lloj kamera e fshehtë e kohës! Kishte gra lyer me buzëkuq, me çanta vendosur në parakrah, me këpucë me taka, që sapo shihnin lekun e shtrirë në rrugë, shihnin para – mbrapa, dhe uleshin hijeshëm ta merrnin… Paraja ikte më tutje e tërhequr nga pas derës, hop edhe një hap, paraja kërcente më tej, deri kishte nga ato idiote që pasi habiteshin, bënin një xhest me dorë dhe largoheshin të habitura. Kishte burra me borselino që pasi e shihnin paranë në rrugë, ecnin disa hapa dhe pastaj vrullshëm ktheheshin për ta marrë.

Por, ajo rrëshkiste në kalldrëm. Ata e ndiqnin me vrap duke kujtuar se e merrte era deri saa të qeshura prej djajsh pas dere ose në rrugë i bënin të iknin të turpëruar. Por, kishte edhe nga ata që kokën e mbanin lart dhe nuk shihnin çfarë thesari kishte poshtë këmbëve, e shkelnin padashje paranë me këmbë, dhe ne mërziteshim: Po shihe o derdimen çfarë fati të ka dalë! Mos harrojmë se për një nëpunës të kohës, ajo shumë ishte sa një e teta e pagës mujore. Nuk ishte e neglizhueshme aspak.

Na ndodhi që një burrë i dobët, i thatë, me kasketë, duke ecur, fap, shkeli fijen, na e bllokoi, kapi letrën e parave me dorë, e shkuli me vendosmëri nga fija, e futi në xhep, dhe pasi na pa me urrejtje dhe djallëzi qeshi duke na thënë : Provojeni nesër përsëri po deshët! E kishte pikasur lojën!

Por, ne nuk tërhiqeshim. Ishte filmi ynë i ditës, ishte estrada jonë, testi ynë i sistemit, televizioni ynë, ishte shkolla jonë e njohjes të karaktereve njerëzore.

Por, ajo që ndodhi atë ditë nuk ka të krahasuar. Donim një peshk të madh atë ditë. Ndaj pritëm muzgun që fije të mos dukej fshehur në kalldrëm. Prisnim të kalonte një nëpunës i gjatë, me kostum e kollaro, që kishte një pamje fodulle, dhe që nuk na i varte fare. Ikte vetëm në punë dhe kthehej vetëm. Ishte me siguri drejtor drejtorie.

Dikush na njoftoi me fishkëllimë se ai po vinte, sapo kishte hyrë në rrugicë. Pritëm të largoheshin kalimtarët para tij dhe ngritëm kurthin.

Sa herë e kishim ngritur enkas për të, por ai as nuk ja vërshëllente fare për të parë se çfarë thesari kishte në tokë!

Por, atë muzg, kishim shpresë përsëri.

E kafshoi grepin, pas portës ne pamë se ai e vuri re njëmijë lekshin shtrirë në rrugë. Koka u përqendruar në atë drejtim, ngadalësoi hapin, në një çast ktheu kokën pas, askush pas tij, çfarë fati për ne!

U afrua ngjitur me njëmijë lekshin dhe u përkul gjoja po lidhte këpucën. Afroi dorën e gjatë mbi cilën dallove mbi gishta qime të zeza. Shoku ynë pas porte ishte mjeshtër, e lëvizi vetëm dy centimetra fijen. Nëpunësi bëri një lëvizje të vogël me këmbën e majtë, u afrua, pak, zgjati dorën në muzg ta kapte lekun, fija e tërhoqi edhe pak fare. Dukej se një puhizë e lehtë ere e shtynte letrën e lekut më tutje, ai bëri ta kapte, por disi u pengua dhe ra në gjunjë. Pas dere ne nisëm të zgërdhiheshim, por shoku ynë që drejtonte operacionin na pa me sy të egër dhe vuri gishtin në buzë për të thënë se duhej të pushonim. Lotë nga sytë.

Ai çoi përpara gjurin e djathtë, njëmijëlekshi i larguar edhe pak centimetra. Nëpunësi si duket mendoi ta kapte pa lëvizur gjunjët, duke shtrirë parakrahun drejt parasë që shkoi disa centimetra më tutje. Mjeshtër i psikologjisë, i perceptimit të objekteve në muzg shoku ynë që terhiqte perin.

Pashë një manshetë këmishe të bardhë që doli nga menga e xhaketës dhe një orë dore mbi kyç. Dora shkoi drejt lekut, dhe leku iku më tej, nëpunësi u zgjat me trup dhe në një çast dora nuk e mbajti më.

Kravata kishte dalë nga xhaketa dhe lëpinte si gjuhë tokën. Dukej si langua i uritur që jargavitet përpara një kocke. Pamja ishte monumentale për ne. Si skultpurë e vjetë kineze më qendron në kujtesë.

Ra mbi bërryla dhe shtriu dorën pa turp sikur donte ta mbaronte sa më shpejt atë skenë lemerie. Kapelja i ra nga koka dhe koka e tij tullace shkëlqeu nga drita e zbehtë llampës mbi shtyllën e elektrikut prej druri. Barku takoi në kalldrëm, shtriu dorën ta kapte njëmijëlekshin por ai shkoi më tej.

E kishim shtrirë në tokë.
Tuç mbi bark!
Ishte arritur maksimumi.
Filluam të qeshnim me të madhe dhe të bërttisnim. Hapëm portën dhe ulurinim me gaz e hare.

Ai u ngrit, rrotulloi kokën dhe sytë i turpëruar, me habi në sekondat e para, dhe brenda disa çastesh e kuptoi. Mblodhi veten, fshiu gjunjët e pantallonave të hekurosura me një vijë hekuri që ndante cdo këmbë pantallonash në mes, dhe mblodhi kasketën e tij. Nga kalldrëmi mori edhe çantën e vet bojëkafe prej lëkure.

Iku sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Dëgjuam vetëm : rrugaçë të ndyrë! Pisa!

Ulurimat tona të gëzuara u ngjitën në qiej. Ai po na shante! Cfarë qejfi!

Nuk e pamë kurrë të kalonte më nga rrugica jonë e famëshme e Tiranës.

Vite më pas, dëgjova në televizion se e kishin dekoruar nuk e di për çfarë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here