Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në Elbasan, përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pak përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar, i fundit përpara zgjedhjeve të pranverës 2021.
Rama e nisi fjalimin, duke përmendur tërmetin e 26 nëntorit dhe pandeminë, si dy ngjarje të cilat lënë pasoja serioze në një vend dhe “tundin tokën dhe jo më qeverinë”, pra dy ngjarje që mund të jenë fatale edhe për qeverinë e tij.
“Sezonin e sapokaluar na u desh te përballemi me një tërmet shkatërrues, një pandemi globale që vazhdon, a thua se nuk na dilnin dhe nuk na tepronin sfidat e punëve tona në 360 gradë, në kthesën e fortë ku e kemi future Shqipërinë ne një lartësi të re.
Tërmeti dhe pandemia nuk janë ngjarje dosido, por që tundin tokën nën këmbët e një vendi të tërë dhe jo më qeverinë.
Jemi mbledhur që t’ju ftojmë në një reflektim të thellë por të shpejtë. Një reflektim për si do ta vazhdojmë përpjekjen tonë në çdo drejtim, si skuadër dhe si individë. Si do ta kurorëzojmë këtë mandat me bindjen dhe besimin për të merituar një mandat tjetër, të tretin rradhazi, për të parën herë në historinë e PS-së, por edhe të Shqipërisë pluraliste”, tha Rama.
Rama vijoi fjalimin, duke i’u drejtuar deputetëve me pyetjen “A jam unë sot më i miri?” dhe duke i konsideruar kundërshtarët si një alternativë jo e mirë për vendin.
“Shqiptarët e kanë të qartë, se nuk e kanë sot për sot kryeministrin më të mirë, por a jam unë sot kryeministri më i mirë që mund të jem për ta? Po ju, a jeni deputetët më të mirë që ata mund te kenë? A është kjo që kemi bërë deri më sot, më e mira që ne mund të bëjmë për ta? Më e mira në vetëvete pa e krahasuar me alternativat, që ata kishin dhe kanë.
Shqiptarët sot nuk e kanë një alternativë më të mirë, sesa mua dhe sesa ju. Këtë ata e dinë, shumica e tyre nuk e diskuton, por kjo sot nuk më mjafton fare dhe atyre jo e jo, që nuk ju mjafton.
E pyes veten shpesh, po PS, që sot përfaqësohet nga ne, mund të bëjë në krye të vendit më shumë se sa kaq sa ne kemi bërë? Përgjigja ime është pa asnjë dyshim po, absolutisht po.
Përderisa jam këtu dhe kam ndërmend të kërkoj mandat tjetër, kam bindjen dhe besimin se mund të bëj më shumë akoma”, tha Rama.