“Gëzuar 3 shtatorin, ditën madhështore që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë!” – Me këtë urim sot, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i ka mëshuar sërish sot idesë se data 3 shtator duhet shpallur festë kombëtare, në përkujtim të Luftës së Vlorës. Në një mesazh të publikuar në Fb, Presidenti Meta shprehet:
“Sot, 100 vjet më parë, populli shqiptar i bashkuar në Luftën Kombëtare të Vlorës u dha fundin e merituar projekteve për shpërbërjen e Shqipërisë, duke hedhur në det pushtuesit dhe i dalë zot vendit, pas muajsh luftimesh heroike. Nuk qe vetëm nderi dhe shpëtimi i Vlorës por qe nderi dhe shpëtimi i tërë Shqipërisë.
Mirënjohje të gjithë luftëtarëve të lirisë, kapedanëve që komanduan, mjekëve që shëruan plagët, atyre që hartuan ultimatumin dhe atyre që e zbatuan atë me gjakun e tyre, në mbrojtje të fitoreve të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit e që dëshmuan se Zot i kësaj toke janë vetëm shqiptarët.
Nderim veprës heroike, sakrificave sublime dhe kujtimit frymëzues të atdhetarëve, të cilët shkruan epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës!
Ndaj çdo 3 Shtator dhe çdo 28 Nëntor çdo shqiptar kudo ndodhet, ndihet edhe vlonjat, sepse këtu në Vlorë u bë historia, këtu u ngrit Flamuri Kuq e Zi, këtu u nënshkrua liria, këtu u jetësua Pavarësia dhe kjo ndodhi me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke. 3 Shtatori duhet shpallur festë kombëtare,” përfundon mesazhin e tij, kreu i shtetit.