Nga: Grida Duma
“Moj zonjë a desha unë të jetoj para fëmijës sim?! Jo! Zoti më la”.
Këto janë fjalët që vijojnë të të buçasin si çekan në mendje pasi dëgjon rrëfimin e një nëne që ka humbur vajzën e bashkëshortin nga tërmeti dhe një burokratuce administrate i thotë: “ ti nuk e meriton pensionin, e kanë marrë ata që kanë tre viktima, ti ke vetëm dy viktima”.
Vetëm dy viktima! Vetëm dy!
Pra po thoshte, duhet të të kish vdekur dhe një i tretë që të përfitosh pension!
Pensioni i jetës sipas qeverisë qenka një paketë treshe apo katërshe viktimash.
Vdekje në paketë përkundrejt një pensioni!
Ky është cinizmi më i rëndë që mund të gjesh në çfarëdo lloj qeverisje. Përfiton pension nëse ke vdekje në paketë treshe.
Makabritet!
Çdo fjalë e kësaj gruaje që shfaqet e jashtëzakonshme në qëndrim dhe forcë, godet me mprehtësinë që ka tehu i një thike të mprehur pas shpine.
Nënë e bir, janë të qartë që jetën e familjarëve nuk ia ka marrë natyra por qeverisja.
Historia e Manjola Cakonit dhe e të birit Alesios, duhet dëgjuar e ridëgjuar sepse përmbledh fatkeqësisht thelbin e jetës së shqiptarëve nën qeverisjen e Ramës.
Tërmeti i Nëntorit i mori jetën babait dhe bijës 15 vjeçare, pasi në shtator godina kish marrë goditje të rënda dhe inspektorët megjithë verifikimit nuk i lajmëruan ata për rreziqet.
Qeveria i la banorët të jetonin po aty, pa asnjë paralajmërim.
Por nuk mbaron këtu; Rama i shfaqet “në derë”, që të bëjë një shfaqje me ta, në mes të mortit që u ra.
E merr Alesion e vogël, udhëton në Itali për të shkrepur fotot e takimit me futbollistë, Kronika bën bujën e show-t, ia servirin shqiptarëve, përfitojnë reklamën, e mënjëherë më pas… e harrojnë Alesion.
Fjalët Alesios sot, djalit 11 vjeçar që duhet të ishte ende fëmijë, dëshmojnë sa shumë e ka rritur atë fatkeqësia. Ai ftohtësisht qetë thotë: “Nuk ja u fal… ata nuk na thanë të mos banonim aty dhe humba babin e motrën. …Ishte bukur të takoje Ronaldon por unë doja më mirë një pension…. “
Kishin “në dorë” t’i shpëtonin por vendosën t’i lënë t’i zënë rrënojat, shqiptarë e fëmijë shqiptarësh. Kishin detyrë t’i ndihmonin, por shpenzuan taksat e shqiptarëve për udhëtime dhe foto reklamash për Ramën. E në fund u lanë një pu(su)llë si sllogan elektoral “ti s’do jesh vetëm”.
Manjola e familjarët paguan vetë edhe tarifën e varrimit. Manjola e familjarët u lanë të të prisnin në vetmi faturën e marketimit.
Prej orëve të paraditës së sotme , dëshmia e Manjolës dhe të birit vijon trondit shqiptarët.
Nga ai moment qeveria është fshehur! Nuk po gjen ende një strategji si ta mbulojë, si ta paketojë e ta varë në një çengel drejt opozitës këtë fakt makabër .
Qeveria fshihet, hesht sepse kjo është historia e pambulueshme e dhimbjes dhe fatkeqësisë të vërtetë të gjithë shqiptarëve që u qeverisën nga një paliaçadë reklamash, që nuk e ndaloi as respekti ndaj jetës e vdekjes.
Përgjegjësit e jetës së shqiptarëve duhet të ndëshkohen!
Ata nuk do të përgjigjen vetëm ndaj Manolës e Alesios, por ndaj jetës së seicilit që u degdis prej tyre.
Ata do duhet të përgjigjen shpejt, shumë shpejt përballë gjithë shqiptarëve.