Shërbimi publik britanik BBC, raporton se studiuesit në Institutin e Dialogut Strategjik (ISD) me qendër në Londër thonë se kanë zbuluar një bibliotekë të madhe digjitale të drejtuar nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS). Koleksioni i materialit në internet, i quajtur “Califhate Cache”, thuhet se përmban më shumë se 90.000 artikuj dhe ka 10.000 vizitorë unikë çdo muaj, por mbyllja e tij është e vështirë sepse të dhënat nuk ruhen në një vend.
Studiuesit e ISD-së i thanë transmetuesit britanik se përmbajtja përfshin dokumente dhe video në nëntë gjuhë të ndryshme dhe ofron informacion mbi sulmet, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001. Materiali gjithashtu përfshin tekste fetare dhe përmbanë propagandë se si duhet të duket stili i jetës, sipas Shtetit Islamik.
Ekspertët zbuluan bibliotekën në internet pas vdekjes së udhëheqësit të IS-it, Abu Bakr al-Bagdadi në tetor të vitit 2019 dhe që atëherë kanë studiuar se si evoluon, si administrohet dhe kush po e viziton atë. Shumica e atyre që vizitojnë këtë faqe janë meshkuj 18 deri në 24 vjeç që jetojnë në botën arabe, thanë ata. Çdokush mund të ndajë përmbajtjen, përmes serverave të vendosur në shumë vende, duke penguar çdo përpjekje për ta mbyllur atë.
Një teknikë tjetër për të promovuar materiale nga memoria e fshehtë bëhet përmes llogarive të vjedhura që janë të lidhura me njerëz të famshëm dhe atletë. Në një rast, grupi IS arriti të mashtrojë llogarinë e ekipit të ragbit të Anglisë për ta ndjekur një të vetin duke u maskuar si një tifoz. ISD gjithashtu ka zbuluar se bibliotekat më të vogla në internet që i përkasin grupeve të tjera ekstremiste ishin të pranishme dhe gjithashtu po përhapnin të dhëna nëpër një sistem të decentralizuar. Studiuesit e saj kanë njoftuar policinë britanike dhe Zyrën e Prokurorit të SHBA-së për rrethin Lindor të Nju Jorkut, e cila ndjek çështjet e antiterrorizmit. Shërbimi Policor i Britanisë tha që informacionet po vlerësohen nga oficerët specialistë. Autoritetet e Nju Jorkut nuk kanë komentuar ende.