Në një intervistë për Ora News, kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka tha se qytetarët me zor po e presin rrotacionin politik në vend.
Nard Ndoka: Qytetarët me zor e presin rrotacionin politik dhe ndëshkimin e kësaj mazhoranca. Ne nuk po merremi me mandatin e kryeministrit sepse ai nuk e ka të mundur që të merret. Ne po merremi me programin e opozitës duke thënë jo vetëm premtimin, por edhe zgjidhjen e gjërave. Do të japim zgjidhje për problemet ekonomike dhe që shqiptarët të mos e braktisur vendin ose edhe të rikthehen në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është që të kemi një program të besueshëm dhe të mirëstudiuar për ato që synojmë që të realizojmë në qeverisjen tonë. Basha ka dhënë mjaft zgjidhje për problemet ekonomike dhe për shumë probleme të tjera dhe të gjitha këto janë në fazën përfundimtare për të ndërhyrë në ekonominë e vendit që është paralizuar.
Për Ndokën heqja e koalicioneve ishte një provokim nga Rama duke hequr një paragraf në kushtetutë duke ndryshuar rregullat e procesit zgjedhor.
Nard Ndoka: Heqja e koalicioneve ishte një provokim nga Rama duke hequr një paragraf në kushtetutë, por ai paragraf nuk i lejon dhe as i pengon ato, pasi janë sanksionuar në Kodin Zgjedhor. Rama do t’i rikthehet aventurës së saj politike për të ndryshuar rregullat e zgjedhjeve. Në fakt, Rilindja është penguese e integrimit të vendit dhe Rama do të nominohet si emër i përveçëm si penguesi i rrugës tonë euroatlantike. Nuk besoj se papërgjeshmëria e tij do të jetë kaq ekstreme sa të pengojë vendin në këtë rrugë për të pasur lehtësi në përballjen zgjedhore. Pavarësisht ndryshimeve, Rilindja e ka disfatën e sigurt. Por nuk dua që vetëm të ndëshkohet Rama me votë, por edhe të votohet programi i opozitës, prandaj ne jemi mobilizuar në këtë drejtim që ta meritojmë votën e qytetarëve.
Ndoka theksoi se opozita ka marrë vendimet e duhura në aksionin e saj politik dhe se nuk ka shkaktuar përplasje politike për të mos rënduar qytetarët.
Nard Ndoka: Unë mendoj se në të gjitha aksionet e veta, opozita ka marrë vendimet e duhura. Sigurisht që listat e hapura është një shans që qytetarët të zgjedhin më mirë, por edhe kjo ishte një demagogji nga Rama, duke u bërë vetëm një arnim. Kontributi i partive të vogla është shumë më i madh tani dhe PD është më shumë debitorë ndaj nesh, por ne jemi të fokusuar te interesi i madh i opozitës. Ne kemi kërkuar të krijojmë një frymë pa përplasje pasi qytetarët kanë mjaft probleme në këtë periudhë.