Puna e partive politike në vend ka nisur edhe më shumë pas dekretit të Presidentit Ilir Meta, të 25 prillit si datë për zgjedhjet parlamentare të 2021. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, shpreh bindjen tek koalicioni i madh i opozitës së bashkuar. Në një deklaratë për mediat, ai thotë se janë hartuar të gjitha skemat mes tyre dhe se po ndjekin zhvillimet në vijim me kujdes. Ndoka thotë se Rama duhet të bëjë kujdes, pasi mund të përballet me revolta qytetare.
”Së pari opozita e bashkuar i ka të gjitha skemat e duhura. Jemi për koalicionin klasik. Nuk i ndryshojmë në çdo lloj marrie që kemi përballë. Po e ndjekim me shumë vëmendje procesin. Ky nuk e ka luksin për të bërë Padrinon e Shqipërisë pasi do të përballet me revolta qytetare dhe jo vetëm me PD-në”.
Nga ana tjetër, Ndoka foli dhe për listat e hapura të kaluara tashmë në Parlament. Ai propozon që partitë e vogla të aplikojnë lista 100 përqind të hapura ndërsa për dy partitë e mëdha të jetë me dy të tretën.
”Sot ky personazh thotë nuk është e mirë dhe do e ndryshojmë. Nuk është Rama që vendos për ndryshimin e lojës për të gjthë palët në zgjedhje. Unë shpresoj që Rama do ti kthehet logjikës politike, njerëzore dhe garantit të faktorit ndërkombëtar. Listat janë miratuar tashmë me kushtetutë, është bërë hap pozitiv. Duhet vendosur me konsensus sesi të hapen listat. Pavarësisht listave të hapura, Rama do i zgjedh sërish kandidatët. Ky është një element që duhet të diskutohet. Nuk është problem tek barazia gjinore. Ne duhet të shohim dhe produktin e listave të hapura. Nuk do na sjellin demokracinë ato. Do të ishte normale që ato parti të kenë 100 përqind listën e hapur tu jepet kjo mundësi. Për dy partitë kryesore të ketë një formulë tjetër siç është përcaktuar dhe në Kushtetutë”.