Gjendja e ankthit për Aleksandër Vuçiç…

0
183

Nga ENVER BYTYÇI

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është në gjendje ankthi. Në SHBA ai u gjend para një të papriture të pakëndshme. Në momentin që do firmoste marrëveshjen e 4 shtatorit në zyrën ovale të presidentit Trump, Vuçiç u sëkëlldis, u skuq, u djersit, ktheu kokën si për t’u thënë bashkëpunëtorëve të tij se çfarë është një pikë e marrëveshjes. Bëhej fjalë për angazhimin e shtetit serb për ta trajtuar Hezbollahun si organizatë terroriste, për të transferuar ambasadën e Serbisë nga Tel-Avivi në Jeruzalem dhe për të heq dorë nga AG 5 kineze.

Për herë të parë në historinë diplomatike të Serbisë së 20 viteve të fundit nënshkruhet një marrëveshje, e cila bie në kundërshtim me interesat e saj strategjike. Firmosja e kësaj marrëveshje dëshmon se presidenti i Serbisë dëshiron ta ankorojë Serbinë në Perendim. Nëse e pranojmë këtë teoremë, atëherë duhet të besojmë se një zgjidhje e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë do të mund të vijë pa pasur nevojë që Kosova të “japë me çdo kusht ato që kërkon Serbia”!

Për cilat janë problemet me të cilat përballet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç?

Ai para pak vitesh deklaroi se do të bëhej një Tito i dytë për Serbinë. Kjo nënkuptonte një qëndrim të hapur të shtetit serb me të gjitha vendet e tjera, një politikë asnjanëse në modelin e shteteve asnjanëse, një qëndrim miqësor ndaj vendeve arabe e myslimane në botë, një raport specifik me Kinën, njëlloj si në kohën e regjimit komunist në ish-Jugosllavi. Ndëkohë që Serbia njihet për lidhje historike strategjike me Rusinë. Marrëveshja e nënshkruar në Uashington më 4 shtator e armiqëson shtetin serb me të gjitha vendet arabe e myslimane, shumë prej të cilave deri tani kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës për shkak të “miqësisë” me Serbinë bazuar në nostalgjinë e kohës së Organizatës së Vendeve të Paangazhuara!

Aleksandër Vuçiç është vënë përballë zhvleftësimit të investimeve miliardësh të Kinës, kur pranoi refuzimin e G5-ës e për pasojë ka shumë mundësi ta humbasë këtë partner strategjik, të cilin para pak muajsh e quante vend “vëlla”! Presidenti i Serbisë mori goditje të drejtpërdrejtë, madje alegorike nga ministria e Jashtme e Rusisë, një reagim unik në historinë e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Moskës. Edhe kur Stalini shpalli letrën e Informbyrosë më 28 qershor 1948, ai i drejtohej për ndihme popullit serb që të reagonte kundër asaj që ai e quante “klikë renegate të Josiph Broz Tito. Vetë shpallja e asaj letre ditën e Shën Vidovdanit ose Betejës së Kosovës së vitit 1389 ishte në vetvete thirrje për ndërgjegjen serbe kundër kroatit Tito.

Ndërsa Aleksandër Vuçiç u bë vetë problemi, sepse duke pranuar Hesbullahun si një organizatë terroriste, automatikisht atakoi interesat ruse në Iran, një vend ky që mbështet këtë organizatë e njëkohësisht mbështetet pa kushte nga Kremlini. Moska është e interesuar që konflikti midis Kosovës dhe Serbisë të mbahet aty ku është e të mos gjejë zgjidhje. Vuçiç në Uashington, por edhe në Bruksel me datën 7 shtator dha sinjale të qarta se “dëshiron t’i japë fund këtij konflikti”! Kësisoj presidenti serb po e ve vendin e tij përballë presionit rus, aleatit të tij disa shekullor.

Në kushte të tilla, zoti Vuçiç është gjithashtu në ankth për reagimin që do ta ketë Kisha Ortodokse e Serbisë. Edhe diktatori ateist Sllobodan Milosheviç ishte i detyruar të respektonte vullnetin politik nacionalist të Patrirkanës së Serbisë, ndërsa Vuçiç do ta ketë këtë aktor vendimtar në Serbi kundër tij. Patriarkana nuk përkrah asnjë kundërvënie të qeverisë së Beogradit ndaj Moskës. Nëse ndodh kjo, ajo do të reagojë ashpër dhe Vuçiç do të ndodhet para një stuhie politike të papërballueshme. Marrëveshja e Uashingtonit ka hapë një portë në këtë betejë midis tij dhe Kishës Ortodokse.

Por jo vetëm kaq. Presidenti serb ka përballë tij gjithashtu veteranët e luftërave serbe në ish-Jugosllavi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Përballë dhe kundër tij janë gjithashtu më shumë se gjysma e akademikëve, sllavistikanëve,

shkencëtarëve, artistëve, profesorëve, studentëve. Ai u mërzit dhe u djersit shumë në zyrën ovale të presidentit Trump, sepse nuk është i bindur në fitoren e tij kundër të gjithë këtyre aktorëve dhe faktorëve, të cilët cenohen e ndëshkohen me marrëveshjen e nënshkruar prej tij më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë të SHBA-ve.

Por më në fund, ky nuk është dhe nuk duhet të jetë problemi i shqiptarëve. Institucionet e Kosovës duhet të dinë ta shfrytëzojnë këtë konjukturë për interesat e tyre. Eshtë absurde që të përsëritet fenomeni i marrëdhënieve Rama-Vuçiç, kur sipas të gjitha të dhënave miqësia ka filluar të ngjizet në momentin e viktimizimit të presidentit serb para kryeministrit shqiptar. Sa më shumë të jetë në vështirësi Vuçiç, aq më shumë shtohet mundësia që ai të mos e zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit. Madje këtë e paralajmëroi para dy ditësh kur i kërkoi kryeministrit izraelit që të mos e marrë vendimin për njohjen e Kosovës. Dukej kjo si kusht për transferimin e ambasadë serbe në Jeruzalem.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here