Gomonen e Rilindjes nuk e shpëton dot askush nga fundosja

0
213

Nga Ermir Gjinishi –
Mentaliteti dhe historia jonë vjen si kristal në postulatet e korifenjve. Ata janë njerëzit që skanuan dikotomitë antroplogjike të sjelljes sonë ndër kohëra. Janë memoria e rrugëtimit të steriotipeve shqiptare në shekuj që dialogon pa pesimizëm me intelektin dhe integritetin e kombit. Fati i popullit tim është fati im, thotë Pjetër Bogdani. Dakort, por atje ku lartësohen kriminelët, njerëzit e ndershëm kalben, ndërhyn Samiu. Mjerimi i shqiptarëve në tërë kohërat ka qenë kapja pas individëve jo pas ideve, ia pret Konica. Honxhobonxhat shqiptarë janë të tmerrshëm për mizori dhe kapadaillëk, vazhdon ai më tej. Ashtu është, kur t’marrët dalin në krye të vendit, t’urtët dalin prej kuvendit, shfryn Fishta. Në rreshtat e këtyre postulateve fshihen modelet e tipologjive më antagoniste të stinëve shqiptare.
Iku dhe vera. Një sezoni veror si ky mos ardhtë kurrë. Pa plazh, pa pushues, pa turistë, me pandemi, me maska. Me misterin e njerëzve që hidhen nga spitalet si askund në botë. Me rilindasit që zhgërryhen plazheve dhe vendosin maska për të fshehur solarin kur dalin nga “karantina”. Me të varfër e të pa punë. Të rinj me botën e imponuar sa një finxhan kafeje. Nxënës që u qajnë prindërve për shkollat e rrënuara. Fëmijë pa lodra, që vështrojnë të menduar si pleq. Njerëz që flenë në çadra si në kampet siriane. Kjo është vetëm një pjesëz e tablosë migjeniane shqiptare.
Në ekstremin e kësaj dhimbje, krejt i pa ndjerë, kryerilindasi shpall pangopësinë për një mandat të tretë dhe vetëemërohet në Durrës siç bëri Esat Pash Toptani 100 vjet më parë. Ç’farë ka bërë rilindja dhe kryerilindasi për Durrësin i ngjan një mallkimi.
Durrësi është i vetmi qytet në Shqipëri që nuk ka asnjë lulishte. Durrësakët kanë det por s’kanë ku lahen. Kanë peshkatarë por s’kanë një merkato peshku. Qyteti turistik s’ka port jahtesh. Maunet me drogë e hashash janë i vetmi lajm që vjen nga porti. Mungesa e ujit e ka kthyer Durrësin në rezervat gamilesh. Rrugët azmatike të qytetit të marrin frymën. Papunësi dhe varfëri të skajshme. Të rinj që ikin çdo ditë si në eksodin e 90-tës. Betoni rilindas varrosi trashëgiminë arkeologjike. Zhduku identitetin dhe historinë. Betonizimi është sarkofagu i hapur i Durrësit. Tërmeti i vjetshëm i la në mëshirën e fatit. Kryefushatari rilindas i vuri mëlçitë në qafë ofiqarit të tij të besuar me zë të hollë si të mizës por me pangopësi të mamuthit. I vetmi lajm i mirë për durrsakët është fakti që distanca me Italinë përballë është më e madhe se me Greqinë dhe kryefushatari nuk ka mundësi t’i japi dhe atyre 12 milje.
Sekti i rilindasve po na imponon të jetojmë sipas stilit të tyre, në bunker. Na kanë vjedhur ajrin. Na kanë vjedhur qiellin. Ne na është lejuar të shohim qiell aq sa duket nga frengjia e bunkerit të kryerilindasit. Bunkerizimi i të gjithëve është oferta i njeriut që jeton në bunker. Simptoma e izolimit, mbylljes, pasigurisë. Fobia e njerëzve të pushtuar nga frikërat. Betonizimi është lavatriçja e parave të pista të rilindjes, është habitati i mëkatarëve.
Pa asnjë surprizë, kryefushatari rilindas e hapi fushatën në Durrës me një PPP 30 milionëshe. Ai është miku i oligarkëve PPP. Atyre i shërben. Me paratë e tyre mban pushtetin. Me kërcënimet e tyre blen frikën. Me frikën dhe paratë e pista blen zgjedhjet. Me ta struket skutave ku mendon se u fshihet “syve të huaj”. Ai e ka zgjedhur ti përkasë botës së errët. Të atyre 1.6 miliard eurove që “Global Initiative” deklaron se u pastruan në Shqipëri vetëm në tre vitet e fundit. Të 2.2 miliard eurove koncesione dhënë oligarkëve.
Ardhja e kryefushatarit të rilindjes në Durrës është oguri më i mirë për të gjithë shqiptarët. Ai ska asgjë me çfarë të krenohet para durrsakëve. Shpresa e tij për ta marrë Durrësin me “formulat e vjetra” është klithma e fundit e një përpjekje të dëshpëruar. Dinakëritë dhe tradhëtitë janë praktikë e budallenjve që nuk kanë mjaft tru për të qenë të ndershëm, thotë Benjamin Franklin.
Mos u habisni, do ju përgjërohet, do përlotet, do mundohet t’ju bëj të qeshni me batuta hipokrite. Do bëhet histerik. Tregojini temjanin dhe do ja mbathë nga sytë këmbët. Gomonen e pullosur të rilindjes nuk e shpëton dot nga fundosja as propaganda e rindërtimit dështak e korruptiv dhënë ish-kryefinancierit që e çoi ekonominë e Shqipërisë në pikjadë me 13 miliardë borxhe, as vetëemërimi i kryerilindasit në kryefushatarë. Kasta e korruptuar e sektit të rilindasve po shtyn ditët e fundit në agoni. Vendin e shpëton nga ky lëngim moral, ekonomik, politik e shoqëror, largimi i këtij sekti pushtetvjedhësish oligarkë. Durrësi është i durrsakëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here