Edi Rama ka premtuar dje rritje të pagave për mësuesit dhe mjekët, në një kohë kur kanë mbetur më pak se tetë muaj nga zgjedhjet e ardhshme. Ish ministri i Financave Arben Malaj, shprehet për gazetën MAPO se ky është një premtim elektoral i parealizueshëm, për shkak të borxhit dhe situatës, dhe se qeveria duhet të tregojë se ku do i gjejë burimet e financimit. Në vitin 2021 Shqipërisë i duhet të rikuperojë tkurrjen ekonomike me rreth 11%. Ekspertët janë të mendimit se jemi përpara një humnere ekonomike.
Premtimi i Edi Ramës për rritjen e pagave për mësuesit dhe mjekët, është parë me skepticizëm nga ekonomistët në vend. Kryeministri Shqiptar edhe dje nga foltorja e Kuvendit, premtoi rritje pagash për mësuesit dhe mjekët (për këta të fundit premtoi rritjen më të madhe në 30 vjet), në një kohë kur buxhetit të shtetit vetëm për këtë vit i mungojnë rreth 1.2 miliard euro dhe borxhi ka kapërcyer shumën prej 80 përqind të prodhimit kombëtar.
Për Arben Malaj, ish ministër i Financave, Rama ska asnjë mundësi që të rrisë pagat në masën që ai pretendon, por kjo që po bën është qartazi një premtim elektoral që nëse ndodh shkakton në Shqipëri skenarin Grek, që është falimentimi i financave publike. “Është premtim i pabazuar që rrezikon te na çojë drejt skenarit Grek. Përpara se të bëjë premtime të tilla, Rama duhet të tregojë burimet, pasi në 7 vjet rritja ekonomike ka qënë minimale, ndërkohë që vetëm për këtë vit borxhi u thellua me 1.2 miliard euro. Është premtim elektoral i parealizueshëm, për shkak të faktorëve që përmendëm, borxhit të lartë dhe situatës aktuale së pandemisë”, thotë Malaj.
Situata
Por si është situata e pagave të mjekëve. Mjeku infeksionist Tritan Kalo, në korrik të këtij viti është shprehur se paga e tij nuk është rritur që nga 23 qershori i 2013-s, duke i kujtuar qeverisë se alternativë për shumë mjekë mbetet braktisja e vendit. “Për rikujtesë paga ime nuk është rritur asnjë qindarkë që prej 23 qershorit 2013, si dhe të mos harrojmë jetët e qindra mjekëve, infermierëve dhe personelit ndihmës, të humbura në këtë betejë kudo në botë, apo ato të dy kolegëve tanë të nderuar këtu në Shqipëri. Hekuri rrihet sa është ende i nxehtë.
Me qetësimin e situatës në një të ardhme jo shumë të largët, pak do të mendohet për rritjet e pagave në shëndetësinë tonë publike, dhe jam i bindur se shumë mjekë e infermierë do e rishohin si optimal largimin nga vendi, sikundër edhe ka ndodhur deri më tash”, do shprehej Kalo, që shton se edhe bonusi i dhënë nga qeveria në masën 1 mijë euro është taksuar si shpërblim duke e reduktuar ndjeshëm shumën e dhënë.
Nga ana tjetër, shumë mjekë dhe infermierë të rretheve janë ankuar se janë përjashtuar padrejtësisht nga bonusi i qeverisë, megjithëse ata kanë qënë në vijën e parë të frontit ashtu sikundër kolegët e tyre në spitalet Covid 1 e Covid 2. Mjekët dhe infermierët e spitalit të Lezhës në prill të këtij viti kërcënuan me grevë. Pakënaqësi ka pasur edhe nga mjekë të spitaleve të tjera në rrethe, që megjithëse kanë qënë ata që japin ndihmën e parë për të sëmurët, sërish përjashtohen nga shpërblimi.
Gjëndja ekonomike
Por në rast se Rama kërkon të mbajë premtimin e tij duhet ta bëjë këtë përpara janarit të vitit të ardhshëm dhe ta përfshijë në buxhetin e vitit tjetër. Neni 91 i Kodit Zgjedhor i miratuar në marrëveshjen e 5 qershorit, ndalon miratimet për rritje pagash katër muaj para zgjedhjeve çka do të thotë se ky premtim duhet të miratohet para datës 25 dhjetor. Megjithatë në vlerësimet e Bankës Botërore, parashikohet se ekonomia shqiptare do të ketë tkurrje të rritjes ekonomike në masën e 11 përqind.
Rama nuk foli se sa është kostoja që do i kushtojë buxhetit të shtetit ky premtim i tij, që në këtë situatë duket i pamundur. Në një prononcim për gazetën MAPO të datës 27 gusht, ekspertë të ekonomisë japin një panoramë të qartë se çfarë i pret shqiptarët në muajt e ardhshëm me këta tregues fiskalë. “Një rënie prej 11 pikë përqindje, do të thotë se jemi në një situatë katastrofike që do të ndihet akoma më shumë me mbylljen e sezonit veror. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak se thellim të mëtejshëm të varfërisë, falimentim në masë të bizneseve dhe humbje të vendeve të punës në muajt e vjeshtës. Imagjinoni një moment, ne kemi një rritje ekonomike jo më shumë se 2 apo 2.5 pikë përqindje në vit.
Me çfarë do të zëvendësohet humbja? Nuk ka investime, nuk ka shpërndarje të ardhurash. Duhet pasur parasysh se viti i ardhshëm është një vit elektoral, dhe dihet sjellja e pushtetit në këto raste. Pra, humnera ekonomike është e pashmangshme”, thuhet në shkrimin me titull “Ekonomia, në rënie dramatike, varfëria kap gati gjysmën e popullsisë”.
Bardhi: Rama i përdori mësuesit për interesa të pushtetit
Më herët, Kryeministri ka zhvilluar një takim me mësuesit, ku përsëriti premtimin për rritje rrogash. I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, shprehet se Rama i ka keqpërdorur mësuesit për interesa të pushtetit personal.
“Edi Rama i ka keqpërdorur mësuesit për pushtetin e tij personal. Dosja akoma e pahetuar 184 tregon se ai është inkuizitor i mësuesve dhe përgjegjës për shndërrimin e shkollave në celula të partisë në pushtet”. Bardhi e shoqëron statusin e tij me një video, ku shihej kryetari aktual i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, teksa i kërkon Drejtorit të Arsimit në Dibër Drini Gjeci, që të detyrojë mësuesit dhe drejtorët e shkollave të deklarojnë hapur votën e tyre përndryshe rrezikojnë vendin e punës.
Në të njëjtën video, shfaqet në audio sërish Drejtori i Arsimit, që merr udhëzime këtë herë nga Arben Keshi, për të njëjtën çështje, ku i thotë qartë se në rast se nuk votojnë kandiodatin e Partisë Socialiste, një ditë pas zgjedhjeve nuk do të jenë më në punë.