Kryetari i PD-së Lulzim Basha, përmes një statusi në “Facebook” ka dhënë një mesazh për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë të pandemisë.
Basha shprehet se çdo mësues duhet që të testohet nëse ka koronavirusin në ditën e parë të shkollës, ndërsa shton se duhet të ketë testimeve periodike dhe të shpeshta që të shmanget zinxhiri infektues.
Postimi i kreut demokrat Lulzim Basha:
Tashmë shumë, pranë nisja e vitit të ri shkollor është një ditë e mirëpritur nga mijra nxënës, prindër dhe staf pedagogjik në të gjithë vendin.
Ky vit nis në kushte të vështira për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre. Javët e fundit numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë ndërkohë që mbetet detyrë parësore e qeverisë të marrë masa konkrete për të shmangur përhapjen e virusit mes nxënësve dhe mësuesve.
Veç dezifektimit të ambjenteve shkollore, mësimit me turne për të shmangur klasat me shumë nxënës, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mësimor. Çdo mësues ditën e parë të shkollës duhet të ketë rezultatin e testit të COVID-19. Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën.
Ndërkohë që Kosova pritet ta zbatojë këtë plan, qeveria shqiptare duhet të nisë urgjentisht marrjen e masave për të siguruar testimet për stafin mësimor.
Jeta dhe shëndeti i mësuesve, nxënësve dhe të gjithë shqiptarëve është sot më i rëndësishëm se çdo show politik!