Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe një nga themeluesit e saj, kompozitori i njohur Limoz Dizdari ka bërë një analizë të asaj që po ndodh brenda Rilindjes dhe për lëvizjet e fundit të ministrave të kabinetit Rama.
Duke komentuar në një intervistë për “Panorama” largimin e beftë të ministres së Arsimit, Besa Shahini, mes të tjerave ai zbulon se kush është Nr. 1 dhe kush drejton realisht në PS. Sipas Dizdarit ai nuk është Edi Rama, por Gramoz Ruçi.
“Te partia, përgjegjës është Gramoz Ruçi. Është ajo që thotë Servantesi në gojën e Don Kishotit: “Çmimi i parë nuk është çmimi i parë, çmimi i dytë është çmimi i parë”. Në parti drejton Gramoz Ruçi dhe ai ka peshën specifike. Por kthehem tek ajo që thashë më lart, nëse ministrja e ka kryer rolin që duhej të kryente, bën mirë që largohet, është vajzë e mençur për mua! Pyetja është pse e solle?! Me kë e krahason?! Një vajzë e re, me shumë pak përvojë në arsim, por që është marrë vetëm me projekte, ma sjell ministre Arsimi në Shqipëri?! Është një përgjegjësi e madhe! E vërteta është dhe fakti që të gjitha këto ndodhin këtu në Shqipëri dhe nxitimthi. Nuk është çështje e njëshit apo dyshit, është çështje e një ndërmjetësimi të madh ndërkombëtar. Unë nuk e besoj se është spontan si rast”, ka thënë Dizdari.
Gjithashtu në vijim të analizës për largimin edhe nga posti edhe nga Shqipëria të ministres Shahini, ai ka thënë se largimi i saj është një mesazh trishtues për të rinjtë, duke ju thënë: ikni largohuni nga vendi…
“Është një mesazh trishtues, u thotë të rinjve ikni, është justifikimi i tërë kësaj ikjeje të madhe të rinisë dhe të shqiptarëve. Është një argument i madh se pse ikin shqiptarët kur ikja nis nga ministrat. Edi Ramës i bie një detyrë shumë e madhe dhe shumë e rëndë dhe mua do të më vijë keq, sepse nuk ia uroj këtë fat dhe e them me sinqeritet të vërtetë, sepse deri tani kanë jetuar siç u ka dashur qejfi, tani fillojnë dhe bëjnë firo. Nuk mund të ikësh nga anija, je i detyruar të rrish në këtë anije që kur të zhytet anija, të mos mbetet vetëm kapiteni në të, por dhe anëtarët e tjerë të saj. Përroin e inatit duhet ta bëjmë zap, unë nuk kam pse të shaj qeverinë për këtë gjë. Por nëse qeveritarët sillen në këtë mënyrë, ti je më i poshtër sesa vetë poshtërsia, sepse për sa kohë që ai Kryeministër ty të besoi një nga dikasteret më të rëndësishme, ishte i mirë, e pranove, të ëmbëlsoi, ndërsa tani po ikën. Pse po ikën?”, ka deklaruar ish-deputeti i PS.