Zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit mund të shoqërohen me pritje dramatike. Shtimi i vëllimit të votave me postë si rezultat i pandemisë, mund të rezultojë në vonesa në shpalljen e rezultatit përtej ditës së zgjedhjeve. Madje analistët parashikojnë se mund të shpallen edhe rezultate paraprake që ndoshta do të rrëzohen me shtimin e votave të numëruara:
Nata e zgjedhjeve do të jetë shumë e ndryshme këtë radhë, mendojnë analistët:
“Ka mundësi që nuk do ta dimë kush i fitoi votimet në natën e zgjedhjeve,” thotë pedagogu i shkencave politike në Universitetin e Floridës, Michael McDonald.
Analisti beson se mund të bëhen parashikime të besueshme atë natë, me kusht që të ketë një diferencë të thellë në rezultate mes dy kandidatëve.
Por parashikimet nuk janë kurrë të garantuara plotësisht. E kaluara ka dhënë shembuj të zhvendosjes së rezultatit brenda natës, siç ndodhi në Arizona dhe Nju Meksiko kohët e fundit, ku fillimisht u mendua se fitoi kandidati republikan, por pas numërimit të të gjitha votave, deklarimi u përmbys dhe u shpall fitues kandidati demokrat.
Shtetet janë detyruar të marrin masa për t’iu përgjigjur pandemisë që ka bërë të nevojshëm shtimin e votimit me postë. Në qytetin Las Cruces të shtetit Nju Meksiko autoritetet thonë se janë gati për realitetin e 2020.
“Kishim shtatë punonjës por nuk mjaftonin. Po ashtu hapja e procesit të votimit shtatë ditë para zgjedhjeve ishte e pamjaftueshme. Ishim me fat sepse bëmë reforma në ligjin tonë zgjedhor në 2019 dhe kemi mundësi t’i kontrollojmë votat në mungesë 14 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kjo nuk do të thotë se votat numërohen, por hapen zarfat, nxirret fletëvotimi, krahasohet emri me listën e votuesve, etj. Ky proces kërkon kohë prandaj fillimi i procesit dy javë përpara na ndihmon,” thotë një zyrtare për zgjedhjet në Arizona.
Kapaciteti i zyrtarëve zgjedhorë për të numëruar votat ndryshon nga shteti në shtet, por analisti Michael McDonald shpreson se shtetet e mëdha dhe të lëkundura që kanë peshë të madhe në rezultat, do të arrijnë ta nxjerrin shpejt rezultatin për të ofruar një parashikim të besueshëm për fituesin.
“Ka gjasa që zoti Biden ose Presidenti Trump të kenë një epërsi me një diferencë të ndjeshme që e bën të qartë fituesin në një shtet të lëkundur si Florida dhe nëse arrihet kjo do të mund të parashikojmë rezultatin në shkallë kombëtare nëse nga këto shtete dalin pa vonesë parashikime të besueshme,” thotë zoti McDonald.
Në biseda me agjencinë e lajmeve Reuters, zyrtarë të fushatës së zotit Biden janë shprehur se po përgatiten për mundësinë që presidenti të ngrejë pretendime se po vidhen votat kur duket që rezultati ndryshon në favor të rivalit.
Edhe disa republikanë shqetësohen se presidenti mund të shfrytëzojë këtë situatë të pazakontë për të hedhur dyshime mbi rezultatet nëse humbet. Por një zëdhënëse e fushatës së presidentit tha se demokratët po mbjellin panik për të “ushqyer teori konspirative”.
Në disa shtete të lëkundura si Arizona, Florida dhe Karolina e Veriut zyrtarët mund të fillojnë të hapin zarfat dhe madje të numërojnë votat para 3 nëntorit.
Por në shtete të tjera të rëndësishme si Pensilvania, Miçigani dhe Uiskonsini, zyrtarët jo vetëm që nuk lejohen t’i numërojnë, por as nuk mund t’i kontrollojnë zarfat me fletëvotime para ditës së zgjedhjeve./ VOA