Vodhën kasafortën me rreth dhjetë mijë euro, del para gjykatës banda e ‘skifterëve’ në Tiranë…

0
125

Banda e hajdutëve të kasafortave në Tiranë ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për dy prej anëtarëve të bandës, Arjan Rapi dhe Et’hem Murataj”, ndërsa ka lënë në “detyrim paraqitje” dy të tjerë, Dorian Bashon dhe Smajl Shkemzën.

Grupi i hajdutëve u godit pak ditë më parë nga Policia e Tiranës, ku ata kishin vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë, brenda së cilës kishte dokumente personale dhe rreth 10 mijë euro, në banesën e shtetasit E. Agasi.

Siç raporton gazetarja Lala, pronari i banesës ka qenë me pushime dhe kur është kthyer ka konstatuar që i mungonte kasaforta. Sipas tij, autorët nuk kishin thyer derën, por kishin hyrë nga mbrapa, ndërsa nga hetimet që ai ka bërë vetë, ka identifikuar targën e makinës dhe njërin prej autorëve, Et’hem Muratajn.

Agasi ka takuar shokun e këtij të fundit dhe i ka kërkuar që t’i kthejnë paratë, pasi kishte prova që ai ishte autor i grabitjes, duke kërkuar njëkohësisht që edhe çështja të mbyllej me kaq. Kështu, Murataj i ka kthyer shumën e vjedhur Agasit, por në momentin që policia ka arrestuar autorin kryesor të vjedhjes, Arjan Rapin, ky i fundit ka pranuar fajësinë për vjedhjen e kasafortës, duke treguar dhe detaje rreth ngjarjes.

Ai ka thënë se Et’hem Murataj ka qenë shoferi, ndërsa ka treguar edhe vendin, ku është hedhur kasaforta. Menjëherë pasi ka treguar vendin, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar kasafortën në cilësinë e provës materiale. Në dëshminë e tij, Rapi ka deklaruar se ka bërë edhe vjedhje të tjera, të cilat po hetohen.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se makina e përdorur për vjedhje është në emër të gruas së Smajl Shkemzës, ndonëse ky i fundit nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi sipas Prokurorisë, mjeti është shitur, por nuk është çregjistruar.

Shitja e makinës është bërë nga Dorian Basho, i cili ka takuar shokun e autorit të vjedhjes dhe i ka kërkuar t’i kthejë lekët, por që as ai nuk ka lidhje me ngjarjen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here