A do të ketë Shqipëria një Marëveshje më të mirë detare me Greqinë?

0
139
Nga Osman Metalla 

Çeshtja e marëveshjes detare vazhdon të mbetet një temë aktuale edhe pas shumë diskutimesh të bëra së fundmi ne median e shkruar dhe atë vizive. Ajo që më bën përshtypje nga gjithë ky diskutim është fakti se nga qeveria si dhe nga një numër jo i vogël ekspertësh gjithnjë përpiqen të gjejnë argumenta dhe të mbrojnë faktin se zgjerimi i ujërave territoriale greke nga 6 – 12 milje detare nuk përbën problem për Shqipërinë. Madje në të gjitha rastet nuk kam dëgjuar asnjë argument lidhur me atë se çka është bërë në këto dy vite, por dëgjova vetëm një mori akuzash e sharjesh në drejtim të kundërshtarit politik, duke anatemuar vetëm marëveshjen e vitit 2009.

Një sjellje e tillë, më bën të mendoj se qeveria e vëndit tim ndodhet në një situatë aspak të këndshme lidhur me stadin në të cilin ka hyrë diskutimi i kësaj marëveshje aq shumë të përfolur. Përbetimi se nuk ka një marëveshje të nënshkruar e të vulosur si ajo e vitit 2009, dhe marja gjatë gjithë kohës me marëveshjen e vitit 2009, më shton akoma më shumë dyshimet se tashmë është arritur një marëveshje në letër e dakortësuar politikisht nga diplomacia shqiptare, por e pabërë zyrtare. Nëse ky është rasti, atëherë, jemi në një situatë shumë herë më të disfavorshme se ajo e vitit 2009, e jo më kot kryeministri dhe një pjesë e ekspertëve marëveshjen e vitit 2009 e shohin si barkën e tyre të shpëtimit në këtë situatë.

Marëveshja e vitit 2009 ishte një marëveshje e cila u arrit pas një kursi afro 2 vjeçar negociatash dhe natyrisht un nuk i përkas atij grupi që mendoj se ajo ishte marëveshja më e mirë e mundëshme. Çdo marëveshje e çfarëdo lloji asnjëherë nuk është e përsosur, ajo gjithnjë mbart brënda dilema për të dy palët të cilat sa herë i kthehen mendojne se mund të kishin bërë më mirë. Ndaj dhe quhet marëveshje pasi palët mundohen të arrijnë maksimumin por kurrë nuk e arrijnë atë, pasi përballë kanë një palë tjetër që po ashtu kërkon maksimumin. Marëveshjet arrihen kur palët mendojnë se kanë mbërritur optimumin e mundshëm. E tillë është dhe ajo marëveshje e cila për hir të së vërtetës parë në retrospektivë mendoj se kishte probleme. Megjithatë, ajo është një marëveshje e bërë 11 vite më parë, në kushtet e një ekspertize tjetër, në mungesë të shume prej precedentëve të rinj të sjellë nga gjykata ndërkombëtare, në mungesë të theksuar të eksperiencës dhe ekspertizës së negociatorëve shqiptarë, dhe më në fund kjo marëveshje pas padisë së bërë nga Partia Socialiste në opozitë në atë kohë u rrëzua nga ana e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin Nr. 15 datë 15.04.2010.

Rrëzimi i kësaj marëveshje e ktheu situatën e bisedimeve në “ground zero”, duke vendosur në një pozicion komod grupin negociator, që do të thotë se tashmë ajo marëveshje nuk përbën më asnjë bazë reference për askend që do të futet në negociata, por pikënisja për palën shqiptare ngelet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Le ti marim pak me radhë në mënyrë sintetike pretendimet që Partia Socialiste paraqiti në rrëzimin e kësaj marëveshje në vitin 2009:

•      Mungesa e plotfuqishmërisë së Presidentit të RSH-së për negocijimin dhe nënshkrimin e marëveshjes;

•      Urdhëri për ngritjen e grupit të punës autorizon negocijimin e shelfit kontinental ndërkohë që bisedimet janë zhvilluar përveçse mbi shelfin kontinental;

•      Titulli dhe përmbajtja e marëveshjes janë të pazakonta;

•      Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i baraslargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, i cili ka sjellë pasoja të disfavorëshme për shtetin shqiptar;

•      Nuk është përcaktuar paraprakisht vija bazë nga shteti shqiptar, e cila ka një rëndësi në përcaktimin e shelfit kontinental. Ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike të përshtatëshme gjeografike për palën greke pasi futet në hapësirën ujore që duhej ti takonte shtetit Shqiptar, dhe ishulli i Othonoit krijon tjetër zgjatim verior të hapësirës detare në disfavorin e palës shqiptare;

•      Delegacioni shqiptar nuk ka treguar kujdesin e duhur për përcaktimin e statusit të shtrirjes së gjirit të Sarandës dhe nuk ka bërë përpjekjet që të njëjtin status të fitonte edhe gjiri i Sarandës ndërkohë që ka pranuar që gjiri i Korfuzit të trajtohet si gji në statusin e ujërave të brëndshme. Kjo ka sjellë disfavore duke afruar vijën bregdetare në drejtim të Sarandës;

•      Shkëmbi Barketa nuk duhet të shërbente si pikë skajore bazë prej të cilës ka filluar matja e vijës së barazlarguar nga pikat më të afërta të bregdetit shqiptar, por si vijë ndarëse e kufirit detar greko-shqiptar, sepse nuk është shkëmb por cekinë shkëmbore. Nuk ka motiv që Barketës t’i njihej dhe t’i akordohej e drejta e hapësirës ujore, pasi kjo cekinë shkëmbore duket dhe zhduket në varësi të fenomeneve baticë-zbaticë;

•      Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences 1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes ngushticës, gjë e cila nuk është kontestuar asnjë herë nga palët;

•      Marrëveshja e nënshkruar nuk është shoqëruar me hartat përkatëse por vetëm me koordinatat e kufirit ndarës, gjë që e bën të paqartë pohimin se “vija e mesme që përcaktohet nga vija gjeodezike që bashkon pikat në tabelë (neni 1/2 i marrëveshjes) është vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë” (pika 1/1 e marre?veshjes);

•      Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës. Qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh edhe nga neni 23 i Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit. Nga ana e qeverisë nuk ka patur vullnet për të dhënë sqarime edhe kur u shfaq interesi i publikut për t’u informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.

Sikurse e shohim dhe nga pretendimet e bëra nga ana e Partisë Socialiste në seancën për rrëzimin e marëveshjes ka një sërë argumentash/pretendimesh të cilat në tërësinë e tyre bënë që Gjykata Kushtetuese të reflektojë dhe të rrëzojë marëveshjen e vitit 2009. Natyrisht nuk kam tagrin të komentoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese, dhe nuk është qëllimi i këtij shkrimi kjo analizë, por le të shohim pak atë se ç’po ndodh tashmë me negociatat e reja që kanë filluar që para vitit 2018 në mënyrë që opinioni publik të jetë më i informuar.

Lidhur me tre pikat e para të cilat janë proceduriale nuk kemi se çfarë të diskutojmë, pasi tashme janë pika të ezauruara dhe fale qëndrimit korrekt institucional të Presidentit të Republikës këto procedura janë respektuar sikurse e kërkon Vendimi i Gjykatës.

Gjithë problemi tashmë qëndron në atë se ç’far ka bërë sot qeveria e cila dje më bindi mua si qytetar i këtij vëndi se marëveshja e vitit 2009 i kishte falur Greqisë 354,4 km2 det. A do të mi kthejë mbrapsht kjo marëveshje e re? Cilat janë garancitë që qytetarët shqiptarë me të drejtë të revoltuar duke i besuar opozitës së kohës e quajtën marëveshjen “tradhëti” dhe “shitje” e detit?

Në këtë kontekst po adresoj një numër pyetjesh për të cilat nuk kam përgjigje por dhe opinioni publik medoj se nuk i ka dhe do te ishte me interes ti dinte si një garanci që negociatat për marëveshjen e re janë në një rrugë të mbarë:

o     Dje në opozitë u kërkua se nuk duhej të ishte zbatuar parimi i baraslargësisë në ndarjen e detit, po sot me çfar parimi janë bërë negociatat të paktën deri tani?

o     Dje në opozitë u pretendua se Gjiri i Sarandës duhej të kishte Titull Historik dhe se duhej të ishte mbyllur nga kepi i Qefalit deri tek kepi i Mërtesës, a mund të na thoni sot si është vepruar. A ka ndërmarrë qeveria shqiptare ndonjë akt në dhënien e statusit “Gji Historik” Gjirit të Sarandës?

o     Dje në opozitë u pretendua se shkembi “Barketa“ nuk duhej konsideruar dhe se vija e kufirit duhet të kalojë përmes kanalit të Korfuzit (ç’ka është mjaft e drejtë edhe sipas kontekstit historik të ushtrimit të të drejtave në këtë hapësirë detare), a mund të na thoni se si është vepruar?

o     Dje në opozitë na thonit se ishulli i Korfuzit së bashku me ishullin e Othonoit hyjnë në ujërat e pretenduara ng pala shqiptare, a mund të na thoni tani që jeni ju në pushtet mos kanë dalë nga ujërat tona?

o     Dje në opoizitë thonit që përcaktimi i kufirit nuk është i nevojshëm për të bërë ndarjen e kufirit pasi ky është i përcaktuar në Protokollin e Firencës, a mund të na thoni se përse nuk veproka dhe sot ky protokolli i Firences dhe u dashka negociuar?

o     Dje në opozitë na thonit se negocijimi i marëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës, a mund të na thoni sa herë e keni informuar opinionin publik, apo të gjithë institucionet përkatëse lidhur me ecurinë e marëveshjes?

Jo vetëm që për asnjë nga pikat e parashtruara më lart dhe të pretenduara nga vetë mazhoranca e sotme nuk ka asnjë informim publik, por me lejoni të them se situata është akoma dhe më e rënduar për shkak të ndryshimit të rrethanave.

Sikurse dhe e përmenda më lart, marëveshja e vitit 2009, nuk përbën më asnjë referencë për asnjë pale, dhe pikënisja ngelet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Që në krye të herës, pala Shqiptare duhej të kishte mirëpërcaktuar strategjinë e saj dhe natyrisht të ishte e përgatitur të kërkonte maksimumin për të arritur optimumin e marëveshjes. Të paktën kjo gjë njihet në teoritë e negocijimit. Le të bëjmë pak një krahasim të kushteve të vitit 2009 me kushtet në të cilat po zhvillohen negocijatat tani:

Së pari në vitin 2009, nuk është diskutuar në asnjë rast zgjerimi i detit territorial të Greqisë nga 6-12 milje detare. Megjithë se u zbatua parimi i baraslargësisë strikte, sërish situata e ndarjes së detit territorial dhe zonës ekonomike ekskluzive ishte në një situatë shumë më të favorshme se kjo skicë që po paraqes (e marrë nga mediat online). Në këtë skice duket qartë se ç’far zgjerimi marrin ujerat territorial greke duke u palosur dhe një herë në drejtim të veriut (duke u shtrire dhe 6 milje në drejtim të Veriut, në ujërat shqiptare – dje të ndara si zonë ekonomike ekskluzive ndërmjet RSH-GR), dhe shikoni se sa pak det territorial i ngelet Shtetit Shqiptar. E pra të thuash se ky zgjerim nuk cënon aspak Shqipërinë është marrëzi. Që në momentin që kjo hartë dhe deklarimi për zgjerim të ujërave territorial u bë nga Kryeministri Micotaqis, menjëherë qeveria Shqiptare duhej të kishte kërkuar sqarime nëpërmjet Ministrisë tonë të jashtme. Një gjë e tillë nuk u bë, por madje u shkua më tej duke e konsideruar si një të drejtë të Greqisë e cila nuk na cënon dhe se nuk ka lidhje me Shqipërinë. Për më tepër negociatat kanë nisur me deklarime të tjera dhe nuk mund të ndryshohen deklarimet në mes të rrugës. Ndaj dhe kjo marëveshje duhet të konkludohet me deklarimet e bëra zyrtare paraprakisht nga palët.

Së dyti, nuk ka asnjë informim publik mbi efektin që i është dhënë ishujve Othonoi dhe Erikuza të cilët për vetë pozicionimin gjeografik të tyre prodhojnë një disproporcion të jashtëzakonshëm të hapësirave detare e sidomos të detit territorial si dhe të zonës ekonomike ekskluzive. Mbështetur në precedentët e ndryshëm ndërkombëtarë por dhe në doktrinën detare, këtyre ishujve duhej të ishte negociuar vetëm dhënia e një fashoje të kufizuar të detit territorial dhe asnjë efekt tjetër.

Së treti, nisur nga parimi që fuqia në det vjen nga toka, pra ndarja e hapësirave detare bëhet në funksion të vijës bregdetare të shtetit bregdetar, dhe se toka kontinentale ka më pushtet se sa ishujt, a është diskutuar dhënia e efekteve të plota dhe për vetë ishullin e Korfuzit. Një diskutim i tillë do ta çonte akoma më tej problemin në kontestimin e marëveshjes së përmbyllur ndërmjet Italisë dhe Greqisë lidhur me ndarjen e ZEE. Edhe nëse një gjë e tillë mund të mos ndodhte, sërish kjo marëveshje prek zona të cilat janë afër pikës treshe të ndarjes së kufirit ndërmjet tre vëndeve (Itali-Shqipëri-Greqi), dhe Republika e Shqipërisë duhej të ishte e informuar dhe të paraqiste rezervat e saj. A është bërë një gjë e tillë nga ana e qeverisë Shqiptare?

Së katërti, kryeministri i Greqisë deklaroi se kjo e fundit do të aplikojë vijën e drejtë bazë në ndarjen e kufirit me Shqipërinë. A është studiuar një zhvillim i tillë, në mënyrë që kjo vijë të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 7 të Konventës së Montego Bayt 1982? A cënon kjo vijë hapësirat territoriale në ndarjen në kanalin e Korfuzit? Si është konsideruar shkëmbi “Barketa” në këtë vijë të re bazë, si pikë fundore e saj apo është neglizhuar. A është paraqitur ndonjë rezervë nga ana e Qeverisë së Shqipërisë lidhur me këtë deklarim të kryeministrit të Greqisë lidhur me efektet e mundëshme negative që mund të prodhojë aplikimi i kësaj vije të drejtë bazë në delimitimin e hapësirave të detit territorial dhe zonave të tjera ndëmrjet dy vëndeve?

Të gjitha sa parashtrova më lart, në fakt janë informacione të cilat ne nuk i dipsonojmë nga ana e qeverisë (me përjashtim të informacioneve që vijnë nga vetë pala Greke) si rezultat i hermetizimit dhe mbylljes së një marëveshje të tillë, por nëse gjërat janë kështu atëherë e them me bindje se marëveshja e re nuk do të ndryshojë për mirë nga marëveshja e vitit 2009, madje me sa duken rrethanat mund të përballemi dhe me një më të keqe. Kjo për faktin se edhe nëse palët nuk bien dakort në mbërritjen e një marëveshje të re, dhe përfundojnë në një gjykatë Ndërkombëtare apo Arbitrazhi të gjitha këto reagime të cilat do të përbënin prova mbështetëse për palën tonë nuk ekzistojne dhe nuk janë depozituar në asnjë institucion, as nëpërmjet këmbimeve të Ministrisë së Jashtme as në Kombet e Bashkuara. Kontestimet kanë rëndësinë e tyre si prova para gjykatës jo vetem thjesht të bëhen, por dhe koha e kontesktimit kur janë bërë është një element i vlerësueshëm nga gjykata. Për më tepër provat kontradiktore (si në rastin e deklarimit se zgjerimi I detit territorial nuk sjell efekte për Shqipërinë) humbasin efektet si prova…

Ju lutem mos na zhgënjeni në pritshmëritë e ligjëshme që kemi krijuar dhe na bëni të besojmë se sërish po “falim” apo po “shesim” det. Do të doja të besoja fort se do të fitojmë 354,4km2 det të “falur” nga marëveshja e vitit 2009,  me marëveshjen e re!!!

Prof. As. Dr. Osman Metalla

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here