Në shkollën 9-vjeçare ”1 Maji” në Tiranë, duket sikur Covid-19 nuk ekziston. Prindër e fëmijë po qëndrojnë të grumbulluar, një panoramë e njëjtë me vitet e kaluara, edhe pse atëherë vendi s’ka qenë në kohë pandemie.
Sot në mbarë vendin nisi viti i ri shkollor 2020-2021 dhe ndryshe nga sezonet e mëparshme, këtë vit 480 mijë nxënësve të sistemit parauniveristar do t’u duhet të zbatojnë protokollet e veçanta të ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të shmangin përhapjen e Covid-19.
Në shkollat me mbi 1000 nxënës mësimi do të alternohet në katër turne, në mënyrë që klasat të kenë një kapacitet të kufizuar nxënësish prej jo më shumë se 20 personash për klasë. Protokolli i ministrisë është kritikuar nga opozita e cila ka kërkuar më shumë garanci për hapjen e shkollave, garanci që nga qeveria është deklaruar disa herë se është marrë.