Nga Elona Caslli
Thuhet se Zoti nuk mund të gjendej kudo e për këtë arsye krijoi nënat.
Sot në orën 17.00 një krijesë e Zotit, e quajtur Mide Ndregjoni (Dumani) do të gjendet para Kryeministrisë me dy çanta shkolle në krahë.
Dy çantat e shkollës janë dy fëmijët e saj që iu rrëmbyen padrejtësisht nga i shoqi dhe u dërguan në Siri. I shoqi i saj ka vdekur dhe në Siri gjenden dy fëmijë dhe në Shqipëri gjendet një nënë me dy çanta.
Veriorët kanë një shprehje- Mos i ndodhtë kurrë fëmijës ajo çka i shkon ndërmend nanës.
Nuk e di se ç’mund t’i ketë shkuar ndërmend Mides gjashtë vite rresht kur nuk i ka pare fëmijët e saj, por uroj që asgjë që i ka shkuar ndërmend asaj, mos t’i ketë ndodhur dy fëmijëve në Siri.
Unë sot do të jem përballë kryeministrisë.
Nuk do të bërtas, nuk do të shaj, nuk do të thyej, nuk do të ulërij, nuk do të jap intervista në televizion.
Do t’i përgjigjem thjesht thirrjes së një nëne me dy çanta shkolle.
Do të marr edhe unë një çantë shkolle me vete, në emër të të gjithë atyre fëmijëve që janë ndarë padrejtësisht nga nënat e tyre dhe që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për mbështetjen tonë.
Post Scriptum- Do të jem pranë Mides sot.