Partia Demokratike ka reaguar lidhur me ndalimet e naftëtarëve që protestojnë për mospagimin e tyre.
Ish-deputeti, Enkelejd Alibeaj teksa i referohet njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit për ndalimet e naftëtarëve, shprehet se ata protestojnë për bukën e gojës, ndërsa Edi Rama i syrgjynos nëpër burgje.
“Ka disa ditë, që naftëtarët e Ballshit protestojnë, por kur protesta e tyre mori vëmendjen e publikut, Edi Rama u kujtua për COVID-in dhe ka urdhëruar ndjekjen penale të naftëtarëve protestues. Është një urdhër kriminal, që kërkon të dënojë ata që ngrenë zërin kundër padrejtësisë dhe dyfish i padrejtë, kur zëri ngrihet nga punëtorë të ndershëm të cilëve u mohohet djersa e tyre.
Edi Rama i padit naftëtarët, pasi nuk e di çfarë do të thotë të protestosh për djersën dhe gjakun e derdhur në punë të ndershme. Kjo është edhe një hakmarrje e neveritshme ndaj qytetarëve që nuk pranojnë më mashtrimet, manipulimin, keqpërdorimin nga qeveria e tij.
Po të ishte për ligjin, Edi Rama vetë, bashkë me konen e Bashkisë së Tiranës, bëjnë çdo ditë tubime të paligjshme kundër rregullave të pandemisë. Edi rama nuk ka hallin e COVID-it, përndryshe, do të kishte krijuar kushtet që prindërit dhe nxënësit të mos tuboheshin në shkolla, që autobusët të mos ishin plot me njerëz, sin ë një situatë të zakonshme.
Edi Rama ka tmerr nga protesta, sepse ai e di që kur njerezit ngrenë zërin, nuk ka kriminel dhe makinacion tjetër që t’i ndalojë para kutisë së votimit.
Edi Ramën e ka kapur paniku dhe tmerri se protesta e naftëtarëve të Ballshit ka treguar atë çka shqiptarët, kudo nga janë, mendojnë dhe janë gati të bëjnë: të rrëzojnë dhe ta degdisin Ramën në honet më të errëta të ligjit”, shprehet ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.