Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, e angazhuar në fushatë pro-presidentit amerikan, Donald Trump, tha në emisionin e Adi Krastës se ai do të rizgjidhet për një mandat të dytë.
“Ka një besim që Trump do rizgjidhet. Kam miq demokratë që më thonë se ai do të rizgjidhet dhe do e votojnë duke i dhënë mandatin e dytë,” tha ajo.
Ajo tha se Trump përdor një gjuhë jokonvencionale, ndërsa theksoi se ai drejton me stil biznesmeni.
Kokalari deklaroi se korrupsioni në SHBA është shumë i thellë dhe i sofistikuar, duke shtuar se Trump e ka luftuar atë.
“Korrupsioni në Kongresin amerikan është shumë i sofistikuar dhe vjen kur politikanët kalojnë shumë kohë në pushtet. Koha e gjatë në qeverisje bën që të shtohet korrupsioni,” tha ajo.
Kokalari mori si rast shembullin e ish-presidentit Barack Obama.
“Obama e nisi me 3 milionë dollarë dhe kur u largua nga presidenca kishte 15 milionë dollarë. Trump ka luftuar korrupsionin e thellë në Kongresin amerikan,” tha ajo.
Kur e krahasoi presidentin Trump, me ish-presidentin legjendar republikan, Regan, moderatori Adi Krasta e quajti të tepërt.
“Është shumë i tepërt, ai do kthehet në varr nëse e bën këtë krahasim,” tha Krasta.
Ky i fundit shprehu habi jo vetëm kur Kokalari tha se në SHBA ka korrupsion të thellë, por edhe kur deklaroi se mund të ketë vjedhje votash në zgjedhjet e nëntorit.